E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina e BSH në rikonstruksion, i kthehet projektit të 1937

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-03-2011 12:58

Godina e Bankës së Shqipërisë hyri në një epokë të re, përsa i përket funksionit fizik të saj. Ajo do të rikonstruktohet. Dje, guvernatori Fullani dhe Ministri Bode kanë vënë tullën e parë, duke i hapur rrugën punimeve që do t’i shndërrojnë në moderne ambientet e brendshme të Bankës, duke ju rikthyer projektit të 1937 të lënë përgjysmë. Punimet për ndërtimin e godinës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë, emri me të cilin njihej në ato vite, filluan në shkurt të vitit 1937, ndërsa ceremonia e përurimit të saj u zhvillua më 30 tetor 1938. Ajo u projektua nga prof. Vittorio Morpurgo Ballio, një ndër arkitektët më të njohur italianë të asaj kohe. Nga pikëpamja urbanistike, kompozimi i ndërtesës prej Morpurgos, është orientuar ndaj tre rrugëve kryesore të qytetit, Rrugës së Dibrës (aksi i rrugës përputhet me aksin kryesor të ndërtesës), Rrugës së Kavajës dhe Bulevardit të qytetit. Vendosja në këtë pozicion, bën të mundur që format elegante të saj të konceptohen nga distanca të largëta të rrugës së Dibrës. Për më shumë se 70 vjet, kjo ndërtesë ka strehuar brenda saj shumë prej institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, si Banka e Shtetit, Ministria e Financave apo dhe si filial i B.K.T.-së për qytetin e Tiranës. Gjatë këtyre viteve deri në projektin aktual, për këtë ndërtesë nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë për rikonstruksione të thjeshta ose të plota, për ta rikthyer atë në gjendjen fillestare. Ka pasur tentativa për projekte rikonstruksioni, por nuk është mundur të realizohen. Sipas Guvernatorit Fullani, qëllimi primar i këtij projekti është rikthimi në gjendjen fillestare, projekti origjinal i ndërtesës. Çdo ndryshim, shtesë ose ndërhyrje e realizuar nga viti 1938 e deri më sot, do të eliminohet. Gjatë procesit të rikonstruksionit të ndërtesës, elementët e ndryshëm arkitekturorë (dyer, dritare, rifinitura të ndryshme) do të rifreskohen, me restaurime ose edhe me zëvendësime, të cilat do t’i përkasin të njëjtin material, formë, teknologji, etj. Respektimi i vlerave arkitektonike që paraqet kjo ndërtesë ka qenë kërkesa kryesore e Bankës së Shqipërisë ndaj projektit fitues. Për rrjedhojë, elementët artistikë, si basorelievet dhe mozaikët, do të restaurohen nën mbikëqyrjen e specialistëve të institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe të specialistëve italianë. Metodikat, mënyrat e restaurimit dhe teknologjitë që do të përdoren janë parashikuar në projektin përkatës, për çdo element në veçanti. Në projektin e ri, parashikohet që në përputhje me filozofinë e Bankës së Shqipërisë, përveç plotësimit të kërkesave administrative të plotësohet edhe kërkesa për marrëdhënie më të plota dhe transparente me publikun. Në këtë kuadër, është parashikuar që në këtë ndërtesë, Banka e Shqipërisë do të ketë muzeun e numizmatikës dhe të historisë së aktivitetit financiar dhe bankar të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, koleksioni i pasur i monedhave dhe kartëmonedhave të emetuara që nga antikiteti e deri më tani do të jetë i hapur për publikun.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›