E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten investimet dhe eksportet, bien turizmi dhe emigrantët

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-03-2011 12:57

Të ardhurat nga emigrantët dhe turizmi në ekonominë vendase kanë rënë gjatë vitit që shkoi, ndërsa kanë pësuar rritje të ndjeshme të ardhurat nga eksportet dhe investimet e huaja direkte. Të dhënat janë publikuar nga Departamenti i Statistikave në Bankën e Shqipërisë, sipas së cilës situata pozitive në eksporte dhe investime ka balancuar humbjen e të ardhurave nga emigrantët dhe turizmit.

Eksportet dhe investimet

Viti 2010 ka thyer rekorde historike, përsa i përket të ardhurave nga investimet dhe eksporti. Për herë të parë, eksporti i mallrave jashtë vendit ka shënuar një vlerë 1.2 miliardë euro, ose 30 për qind më shumë se, në vitin 2009, ku vlerat monetare në ekonominë vendase shënuan një vlerë prej 751 milionë euro. Kështu për herë të parë në ekonominë vendase, raporti i eksporteve me importet arrin në 1 me 3, ndërkohë që disa vite më parë ky hendek ishte shumë i lartë. Eksportet nisën të rriten me ritme të larta, qysh vitin e shkuar, ku shkak u bë rritja e eksportit të energjisë elektrike dhe naftës bruto, të cilat patën një çmim më të lartë se zakonisht në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu rritje gjatë vitit 2010 kanë pësuar edhe investimet e huaja direkte, të cilat për të parë herë arritën në vlerën e 840 milionë dhe janë rreth 20 për qind më të larta se, një vit më parë. Sipas të dhënave, këto investime janë destinuar për sektorin e fasonit, energjetikës dhe infrastrukturës në tërësi. Rritja e të ardhurave nga eksportet dhe investimet ka ndikuar në kompensimin e disa zërave të tjerë të bilancit të pagesave, të cilët kanë pësuar rënie në krahasim me një vit më parë.

Turizmi dhe emigrantët

Ndonëse me prurje të konsiderueshme, turizmi dhe emigrantët kanë sjellë më pak të ardhura në ekonominë vendase gjatë vitit 2010 se, një vit më parë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga emigrantët, ashtu si ishin lajmëruar, pësuan një rënie gjatë vitit që shkoi gati me 15 për qind. Gjatë vitit 2010, emigrantët sollën në ekonominë vendase 690 milionë euro, nga 780 milionë euro, që sollën gjatë vitit 2009. Rënia në këtë sektor ishte e pritshme për shkak të krizës financiare që kaluan vendet europiane, në të cilat jetojnë emigrantët. Por viti 2010 ishte surprizë për të ardhurat që shënoi në sektorin e turizmit. Ndonëse në një numër të madh, turistët gjatë vitit 2010 sollën më pak të ardhura në ekonominë vendase se, gjatë vitit 2009. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi gjatë vitit 2010 ishin 1.2 miliardë euro, nga 1.3 miliardë euro që kishin qenë në vitin 2009, ose me një ulje rreth 100 milionë euro.

Zërat 2009 2010

Mallra -2,304 -2,083

Eksport 751 1,172

Import -3,054 -3,254

Turizmi 168 195

Turizmi hyrje 1,302 1,227

Turizmi dalje -1,134 -1,032

Emigrantët 781 690

Investimet 680 837

---------------------------------------------

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›