Biznesi: Tarifa e amnistisë për kompanitë të zbresë 3%
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, ka deklaruar dje se komuniteti i biznesit i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë projektligjin e Amnistisë Fiskale në lidhje me taksimin. Sipas tij, taksa prej 6% është e papërballueshme nga biznesi. Për këtë në propozimin e tij ministrisë, është kërkuar që tarifa të zbritet në 3%. Sipas zotit Jaka, komuniteti i biznesit i ka dërguar dje Ministrisë së Financave propozimet për disa ndryshime në këtë draft. Nga ana tjetër qeveria duket se do të pranojë dialogun për këtë çështje, për të gjetur një zgjidhje të mesme me konsensus. Këtë e pohojnë deputetë të mazhorancës. Deputeti demokrat, specialist në fushën e ekonomisë, Sherefedin Shehu, u shpreh për gazetën MAPO se është momenti i duhur që qeveria ka vendosur të nisë procesin e Amnistisë Fiskale. Ai gjykon se është momenti i duhur, pasi biznesi është shumë më i përgjegjshëm për pasojat dhe që një falje e tillë nuk mund të bëhet rrugë. Në të njëjtën kohë, deputeti Shehu mendon se Administrata Tatimore është maturuar dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, prandaj duhet të krijohet një marrëdhënie e re dhe e matur mes administratës shtetërore dhe biznesit. Gjithashtu, sipas Shehut, edhe legalizimi i aseteve, pra çlirimi i burimeve që do të bëhet paralel, do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për ekonominë shqiptare në tërësi. Sipas tij, kërkesa e biznesit do të shikohet dhe është e qartë që do të ketë një konsensus dhe do të gjendet një rrugë e mesme që ky proces të realizohet sa më mirë. Projektligji për Amnistinë Fiskale, tashmë gati dhe i zbardhur prej Ministrisë së Financave, parashikon që të përfitojnë nga procesi i amnistisë fiskale gjithë qytetarët shqiptarë. Falja do të përfshijë legalizimin e kapitalit, faljen e pasurive të paluajtshme, të pahipotekuara deri tani, dhe faljen e detyrimeve dhe taksave doganore. Duke iu referuar nenit 11 të draft-ligjit në fjalë, që parashikon procedurat e deklarimit të vlerës së aseteve të personave juridikë, personat juridikë, të cilët kanë të regjistruara në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme, makineri dhe pajisje me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së veprimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre aseteve.
Në të njëjtën kohë ky nen detyron rivlerësimin me vlerën e tregut dhe duhet që të bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për vlerësimin e pasurisë, nga institucionet përkatëse.
Dhe diferenca nga vlerat kontabël e regjistruar në pasqyrat financiare me vlerën që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2011. Kurse personat juridikë, paguajnë për këtë rivlerësim tarifën 6% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme dhe 7% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për makineri/pajisje. Këto shifra do diskutohen mes biznesit dhe Ministrisë së Financave, për të rënë dakord për një shifër të ndërmjetme. Gjithashtu, të gjithë bizneset, të cilët deri më tani nuk janë pajisur me kasa fiskale, sipas ligjit në fuqi dhe janë penalizuar me gjobë, do t’u falen gjobat, sipas këtij ligji. Ky projektligj parashikon në të njëjtën kohë edhe gjithë procedurat sesi do të realizohet amnistia fiskale, sipas të gjitha kategorive të përmendura aty. Duke iu referuar këtij drafti, në rrethin e subjekteve që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit përfshihen: personat fizikë apo juridikë që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, dhe/apo diferenca pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i aseteve të parashikuara nga ky ligj e gjithashtu çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili brenda kushteve të parashikuara në këtë projektligj deklaron shumën në të holla.