E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Ekonomia po tkurret,bankat po japin më pak kredi



nertila maho

Muajt e parë të këtij viti nuk kanë qenë aspak pozitivë për disa prej treguesve kryesorë të ekonomisë çka ka sjellë tkurrje të saj. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani theksoi dje se treguesit më të fundit sasiorë e cilësorë tregojnë për një ecuri të ngadaltë, por që gjithsesi të kompensuar. “Ngadalësimi i kërkesës së brendshme është kompensuar nga një ecuri pozitive dhe në rritje për eksportet shqiptare”, u shpreh ai. Niveli i ulët i kreditimit, tkurrja e investimeve publike, situata në tregjet monetare apo prirjet e inflacionit kanë qenë disa nga pikat ku u ndal Guvernatori. Ai theksoi se kërkesa për mjete monetare e sektorit privat vazhdon të jetë e ulët, duke reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. “Pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, ritmi vjetor i rritjes së kreditimit për sektorin privat u ngadalësua më tej në 4.8 për qind në muajin mars. Kërkesa e bizneseve për kredi vazhdon të jetë burimi i vetëm i rritjes së kreditimit, ndërkohë që kredia për individë vijon të tkurret në terma vjetorë për të pestin muaj radhazi”, u shpreh Guvernatori.
Blerja e hotel Dajtit
Daljen e tij para mediave për vendimmarrjen e Këshillit të Mbikëqyrjes Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e shfrytëzoi edhe për të dhënë detaje mbi blerjen e Hotel “Dajtit”. “Vendimi i Këshillit të Ministrave për shitjen e pronës shtetërore ish-Hotel “Dajti” shënon fillimin e materializimit të një projekti të ideuar shumë vite më parë nga Banka e Shqipërisë. Motivimi ynë për blerjen e këtij objekti bazohet në ligjin organik, kuadrin ligjor dhe atë rregullativ përkatës për përmbushjen e mirëfunksionimit administrativ të institucionit përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të punës së punonjësve dhe përafrimin e këtyre kushteve me standardet evropiane”, u shpreh Fullani. Ai theksoi se gjithë procedurat që ka ndjekur dhe që do të ndjekë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nga momenti i publikimit të vendimit të Këshillit të Ministrave deri në përfundimin e plotë të shitjes së këtij objekti do të vazhdojnë të jenë plotësisht transparente dhe të bazuara në ligjin mbi Bankën e Shqipërisë dhe kuadrin ligjor dhe rregullativ të saj.

Qeveria ndryshon rregullat për tenderat

Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme u ndal edhe në një sërë ndryshimesh dhe shtesash, por vendimin mbi “Miratimin e rregullave për prokurimin publik”. Kështu ndryshimet përfshinin sigurimin e ofertës. “Ofertuesit ose kandidatët e kualifikuar duhet të paraqesin sigurimin e ofertës, në vlerën 2% të vlerës limit, të përcaktuar në dokumentet e tenderit. Në dokumentet e tenderit duhet të parashikohet një periudhë vlefshmërie, bazuar në kohëzgjatjen e mundshme të procedurës. Sigurimi i ofertës duhet të jetë i vlefshëm gjatë gjithë kësaj periudhe”, thuhet në vendim. Ndërkohë që theksohet se tërheqja e ofertave nga ofertuesit e klasifikuar i dyti e me radhë, pas klasifikimit nuk ndikon në vazhdimin e mëtejshëm të procedurës së prokurimit nga autoriteti kontraktor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›