E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri me armë, gjykata lë në burg rrepistin



TIRANE – Jetnis Dollapi, 23-vjeçari i dyshuar si autori i të shtënave me armë vetëm pak metër larg godinës së Presidencës, pak ditë më parë, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Togat e zeza të gjykatës së kryeqytetit, caktuan dje për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Burime pranë Gjykatës së Tiranës pohuan se vetë Dollapi nuk ka shfaqur pretendime gjatë seancës. Pasi dëgjoi pretendimet e avokatëve të tij, për një masë më të lehtë sigurie, dhe të akuzës për lënien e të pandehurit në burg, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë. Sipas vendimit të togave të zeza, Dollapi akuzohet për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje”, “kanosjes” dhe “prishjes së rendit dhe qetësisë publike”. Jetnis Dollapi u shoqërua nga policia në orët e mbrëmjes të së dielës. Ngjarja për të cilën ai u prangos ndodhi rreth orë 19:45 të kësaj dite, pas një sherri mes fansave të grupeve muzikore rrep, OTR dhe TBA, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshim mes Presidencës dhe Pallatit të Kongreseve. Zënka, e ndodhur vetëm pak minuta përpara se në Pallatin e Kongreseve të niste një konkurs muzikor, ku merrnin pjesë përfaqësues të të dy grupeve, u shoqërua me të shtëna arme zjarri. Sipas policisë, pas zënkës mes të rinjve, Jetnis Dollapi ka nxjerrë nga xhupi një armë automatike dhe e ka drejtuar nga “rivalët”. Arma është shkrehur disa herë, ndërkohë që nuk janë shënuar të lënduar. Në vendngjarje janë gjendur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë ndaluar dhe shoqëruar shtetasin Dollapi. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automatik dhe dy gëzhoja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›