“Plus” operatori i katërt së shpejti në treg
“Plus” është operatori i katërt i telefonisë celulare në vend, i cili pritet të hyjë së shpejti në treg. Gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme kompania ka paraqitur ecurinë e deritanishme në ngritjen e “infrastrukturës” së nevojshme si dhe planet afatshkurtra për lançimin në treg. Drejtori Ekzekutiv i “Plus” Moni Buchnik” gjatë fjalës së tij theksoi se operatori i katërt i telefonisë celulare do të fokusohet në ndërtimin e një rrjeti cilësor me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullator, si dhe ofrimin e vlerave më të mira të shërbimit ndaj klientëve. “Plus” ka përfunduar procesin e kontraktimit për më shumë se 100 stacione bazë dhe është aktualisht në procesin e ndërtimit të 50 stacioneve të tjera. Mbulimi do të shtrihet duke filluar nga zona Tiranë-Durrës-Rinas dhe më pas në qytetet kryesore dhe rrugët kombëtare”, informoi ai. Ndërkohë që kryetari i Bordit drejtues të kompanisë Petraq Shomo u ndal në faktin që ky është i vetmi biznes shqiptar në fushën e telefonisë së lëvizshme. Plus u themelua më 26 qershor të vitit të kaluar. Investitorët kanë planifikuar të investojnë rreth 100 milionë euro gjatë dy viteve të para , prej të cilave 35 milionë janë vendosur aktualisht në dispozicion nga ana e investitorëve shqiptarë.