Prifti fton investitorët francezë në Shqipëri
Klima e favorshme e të bërit biznes dhe sektorët favorizues ku mund të investohet kanë qenë pjesë e panoramës që paraqiti Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në Francë. Ai mori pjesë në konferencën “Shqipëria: Në rrugën drejt integrimit në BE”, zhvilluar në Paris, ku mes të tjerash takoi edhe Sekretaren e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne Marie Idrac. Ministri Prifti, gjatë fjalës së tij në konferencën organizuar nga Komisioni i Tregtisë Franceze, ftoi investitorët francezë të investojnë në Shqipëri, duke theksuar faktin se vendi ynë është një vend ku ata mund të nxjerrin shumë fitime, pasi ka një klimë jashtëzakonisht miqësore për biznesin, një Qeveri pro biznesit, taksa të ulëta, forcë pune të kualifikuar dhe të lirë. “Shqipëria është një vend që ka shumë sektorë, në të cilët mund të investojnë investitorët francez ku mund të përmendim sektorin energjetik dhe minerar, që janë kthyer kohët e fundit në sektorë tepër tërheqës dhe fitimprurës për investime”, u shpreh Prifti. Duke bërë një përmbledhje të potencialeve që paraqet vendi ynë, kreu i Ekonomisë bëri thirrje për më shumë investime, të cilat do të forcojnë dhe zhvillojnë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve. Edhe sekretarja e shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne Marie Idrac, ka drejtuar të njëjtën thirrje ndaj investitorëve francezë. “Francezët duhet të investojnë në Shqipëri. Shqipëria është një vend i bukur, i sigurt dhe me interes për investime. Shqipëria është vend i rinisë, pasi mosha mesatare e popullsisë është 31 vjeç. Qeveria franceze do të mbështesë kompanitë franceze që duan të investojnë në Shqipëri”, u shpreh Idrac.