E Diel, 1 Nëntor 2026

Hygeia Hospital, më 1 korrik hapet spitali më i ri në Tiranë



Zyrtarisht do të hapë dyert për pacientët në datë 1 korrik. Por drejtuesit e tij menduan të prezantonin dy ditë më parë paketën e shërbimeve dhe investimin kolosal prej 60 milionë eurosh, që është bërë në spitalin më të ri privat në Tiranë, Hygiea. Me një kapacitet prej 220 shtretërish, 13 salla operimi, 8 njësi të dializës së veshkës, 8 shtretër për terapinë intensive, spitali synon të forcojë një shërbim sa më cilësor dhe të implementojë teknika novatore, sidomos në fushën e teknologjisë. Spitali Hygeia i Tiranës (HHT) është anëtar i grupit të mirënjohur për besueshmërinë HYGEIA, lider në shërbimin shëndetësor në Greqi, Turqi, Qipro dhe me një eksperiencë 40-vjeçare në arritjet mjekësore. “Ne jemi të lumtur t’ju paraqesim këtë investim që arrin në 60 milionë euro. Spitali ynë do të ofrojë për shqiptarët akses të drejtpërdrejtë te qendrat mjekësore të standardeve të larta. Synojmë të ofrojmë një spektër shërbimesh për 23 fusha mjekësore”, tha gjatë konferencës për shtyp, Drejtori i Politikave të zhvillimit të grupit, Hygiea, Antonios Michopoulos. Ai shtoi se HHT do të bashkëpunojë me rreth 1.000 specialistë shqiptarë të shërbimit shëndetësor. Entuziast u shpreh edhe Drejtori Mjekësor i HHT, Leonard Solis. “Asnjë shqiptari nuk do t’i duhet më të udhëtojë jashtë vendit, për të marrë trajtim mjekësor cilësor. Pa listë pritje, ata do të kenë cilësinë më të lartë të shërbimeve. Risija që ne do të sjellim do të jenë çmimet, të cilat për shërbimet do të jenë fikse që në fillim. Pra çdo pacient do ta dijë përpara se të marrë shërbimin se sa do të paguajë”, tha Solis. Ndërsa Drejtori i Menaxhimit Operacional të HHT, Sokol Dedja, tha se cilësia e shërbimit do të garantohet mes pajisjeve më moderne mjekësore dhe një stafi të specializuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›