Fullani: Gjykatat të mbrojnë bankat nga kreditë e këqija
Kreditë me kolateral (garanci hipotekore) pasuritë e paluajtshme janë rreziku më i madh për sistemin bankar në vend dhe mund të shndërrohen në bartësin e mundshëm të një krize financiare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje me shqetësim se Banka Qendrore dhe të gjitha bankat e nivelit e të dytë kërkojnë ndihmën e sistemit gjyqësor për të marrë banesat apo prona të tjera të paluajtshme nga personat apo subjektet që nuk kthejnë kreditë sipas rregullave të parashikuara dhe marrëveshjes që ata kanë me bankën. Në mënyrë të tërthortë guvernatori tha se gjykatat duhet të jenë të gatshme të urdhërojnë marrjen e pronave të të gjithë këtyre subjekteve, pasi përndryshe sistemi bankar do të kishte vështirësi. Këto shqetësime guvernatori i ngriti në një kohë kur sektori i ndërtimit është duke përjetuar rënie dhe kur ekonomia mund të përballet me rënie të rritjes së saj me dy herë. Këto mund të shtrëngojnë shumë klientë të bankave të kenë vështirësi të paguajnë këstet e kredive dhe kjo do të kërkojë patjetër marrjen e kolateralit nga banka. Aktualisht, kjo situatë nuk ka ardhur dhe guvernatori i parapriu asaj dje. Ai për të shprehur shqetësimin rrëshqiti në formulime teorike për rëndësinë e sistemit të drejtësisë në një ekonomi të stabilizuar dhe sundimin e shtetit ligjor në këto marrëdhënie. Pavarësisht këtyre, shqetësimi është i qartë dhe guvernatori këtë e di mirë. Në Shqipëri rreth 80 % e kredive janë me kolateral pasuritë e paluajtshme. Saktësisht, guvernatori tha se në themel, një sistem ligjor duhet të sigurojë të drejtat kontraktore dhe të drejtat e pronësisë. Këto të drejta duhet të jenë të parashikuara në mënyrë të qartë, të mbrojtura dhe të paprekshme. Guvernatori vijoi duke shpjeguar se palët jo vetëm që duhet të jenë në dijeni të këtyre të drejtave, por duhet të kenë mundësinë që t’i ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të plotë ato, si gjatë lidhjes së marrëveshjes, ashtu edhe në rast konflikti. Për këtë arsye, roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës, janë tipare thelbësore, deformimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit financiar. “Për të ilustruar pak më mirë këtë ide, - tha guvernatori, - mjafton të përmend se paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore në veçanti dhe kredia në tërësi zënë, në krahasim me vendet e tjera”. E gjithë kjo problematikë, ende e pazgjidhur ligjore, ka ndikuar drejtpërdrejt në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare. Sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve, duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia kontraktuale e akordimit të kredisë. Sigurisht kjo nuk është e lehtë.