PS i përgjigjet Metës: Mllefi nuk është alternativë
Duke përdorur një gjuhë që është përdorur edhe gjatë përplasjeve të mëparshme me kryetarin e LSI, Partia Socialiste i është përgjigjur pas shumë ditësh grevës së urisë së deputetëve në lidhje me Kodin Zgjedhor.
Kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, ka lënë të kuptohet se nuk do ketë ndryshime dhe se PS po synon që zgjedhjet e ardhshme të bëjnë të mundur që vota e çdo qytetari të numërohet. “Ne kemi hyrë në këtë proces për t'u dhënë shqiptarëve shansin e shumëpritur të një votimi të padeformuar, të tjerë duan të nxjerrin nga ky proces kapitale politike, ndërsa të tjerë akoma duan të imponojnë dështimin e procesit.
Le ta mësojnë të gjithë se për ne socialistët kjo nuk është loja politike e radhës për të siguruar karriget e radhës, po angazhimi ynë përpara qytetarëve që na njohin të gjithëve në atë Kuvend dhe meritojnë shumë më shumë se të gjithë ne deputetet.”
“Ne kemi qenë e do të jemi të gatshëm të dialogojmë vijimësisht me të gjithë dhe nuk kemi akuzuar e fyer askënd që ka pikëpamje të ndryshme nga tonat, sepse qëllimi ynë nuk është të imponojmë një qëndrim tonin në dëm të dikujt, po të formulojmë një qëndrim sa më të drejtë në interes të publikut.
Le ta kuptojnë kolegët tanë parlamentarë se mllefi nuk është alternativë, se një qëndrim nuk imponohet me zor, po me argumente, ashtu siç duhet ta kuptojnë edhe kundërshtarët tanë qeveritarë se duke bërë diversion me emrin e Partisë Socialiste, nuk bëjnë tjetër veçse tregojnë atë që dimë të gjithë, primitivizmin e tyre politik”, - tha Leskaj.
“Ne vlerësojmë se është krejt normale që për një reformë kaq të rëndësishme, e cila prek drejtpërdrejt stereotipe të krijuara dhe interesa të caktuara, të ketë kundërshti dhe mospajtime brenda spektrit të përfaqësimit politik.
As në eksperiencat më të mira perëndimore nuk figurojnë raste konsensusesh me 100%, kur është fjala për reformën zgjedhore.
Përkundrazi, kjo reformë për vetë natyrën e saj specifike ngjall kudo - në çdo vend demokratik - kurdoherë që zhvillohet, kundërshti të dukshme dhe mospajtime të konsiderueshme mes partive të mëdha e të vogla.
Në procesin e kësaj reforme ne socialistët kemi mbajtur e do të mbajmë deri në fund parasysh interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve, që vota të shkojë aty ku e jep votuesi; që çdo parti të peshohet nga zgjedhësit, jo të rritet apo zvogëlohet artificialisht, siç ka ndodhur 17 vjet me radhë;
që mes zgjedhësve e të zgjedhurve të krijohen kushtet e një kontrate të qartë bazuar mbi programin, ekipin e liderin më të votuar dhe të mos ketë më as xhuvelizëm as informalizëm parlamentar në kurriz të njerëzve e të vendit”, - tha kryetarja e grupit parlamentar të PS.
Ajo tha se argumentet e të gjithëve duhen ballafaquar para qytetarëve.
Të gjithë deputetët e PS mendojnë si Valentina Leskaj
Që sot një javë, asnjë deputet i PS nuk ka shkelur në sallën e Kuvendit për të vizituar deputetët grevistë. Leja e kryetares së Kuvendit për të mundësuar vizitën te grevistët, është dhënë që të premten që shkoi. Asnjëri prej tyre nuk përgjigjet, në qoftë se e pyet se cilat janë arsyet që i pengojnë për të takuar në mënyrë njerëzore dhe jo politike kolegët e tyre deputetë, të cilët janë ngujuar në grevë urie që të hënën e kaluar, tetë ditë më parë. Shumë prej tyre thonë: “Aman mos më pyet mua, merr ndonjë tjetër, ose nuk ka asnjë koment”. Burime pranë grupit parlamentar të PS thonë se ka një urdhër të kryetarit të PS për deputetët e partisë së tij, që jo vetëm që s’duhet të shkojnë në sallën e Kuvendit për të takuar kolegët, por nuk duhet të thonë asnjë gjysmë fjalë për grevën e urisë apo për Kodin Elektoral. Dhe kështu ka ndodhur. E njëjta situatë duket edhe nga e djathta, ku deputetët e PD gjithashtu nuk kanë vizituar kolegët e tyre deputetë të ngujuar në grevën e urisë. Punonjësit e Kuvendit ishin përgatitur për të pritur fluks deputetësh, në momentin kur Jozefina Topalli dha lejen që mundëson vizitat e deputetëve te kolegët e tyre. Në seancën e së martës që shkoi, kur ishte dita e dytë e grevës së urisë, deputetët e PD i takuan kolegët e tyre, publikisht, por një gjë e tillë nuk ndodhi me ata të PS, te të cilët kishte mbërritur urdhri për asnjë kontakt me grevistët dhe asnjë fjalë për grevën.
Mbledhja e grupit parlamentar të PS zgjat tri minuta
Dje, deputetët e PS janë rreshtuar në heshtje pas kryetares së grupit parlamentar, Valentina Leskaj, e cila vetëm dje guxoi të fliste për krizën politike. Guxoi në momentin kur kryetari i PS i kishte dërguar një deklaratë për të lexuar, pa marrë fare parasysh se a është në të njëjtin qëndrim grupi parlamentar, fundja edhe vetë Valentina Leskaj. Është e vërtetë që PS pati një qëndrim për Kodin Zgjedhor përgjatë kohës kur po hartohej ose kur u vendos pikërisht ky Kod. Por situata e re politike pas hyrjes së dhjetë deputetëve në grevë urie, lë vend së paku për të mbledhur grupin parlamentar të PS, partia e dytë politike në vend, e para e opozitës, dhe për të vlerësuar situatën politike në vend. Kjo, sepse bëhet fjalë për një grevë urie të 10 deputetëve, shumica e të cilëve i përkasin pikërisht opozitës së majtë, së dyti, bëhet fjalë për përçarjen e së majtës dhe daljes në zgjedhje të ndarë. Në qoftë se të gjithë deputetët e PS mendojnë njësoj si Valentina Leskaj, atëherë duhet ta pohojnë publikisht këtë, dhe jo të heshtin, me gjithë këmbënguljen e fortë të medieve për të marrë qëndrimin e tyre. Kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, mblodhi për tri minuta deputetët dhe iu tha që është shtyrë seanca plenare e së hënës për t’u zhvilluar sot. Pa dhënë asnjë sqarim. Pas kësaj ajo del para medieve dhe lexon deklaratën, ku tregon se PS e grupi i saj parlamentar nuk kanë asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre për situatën politike të krijuar në vend. Në të njëjtin qëndrim me Leskajn rezulton të jenë edhe deputetët Ben Blushi, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Ylli Bufi, Erion Braçe, Marko Bello, Albert Caci etj. Edhe pse deputetët e pranishëm dje në grup nuk kishin dijeni për deklaratën që do të lexonte Leskaj pak minuta pas mbledhjes. Burime pranë grupit parlamentar të PS thanë dje se deklarata erdhi me urgjencë nga Rama, me destinacion të vetëm publikimin në media dhe jo debatin në grupin parlamentar.
Berisha: Kodi mund të ndryshojë, vetëm po pranoi PS
Kryeministri, Sali Berisha, ka ripërsëritur dhe një herë dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, se zgjidhja e çështjes së Kodit Zgjedhor që mban në grevë disa deputetë mund të vijë vetëm nëpërmjet PS. Burime nga mbledhja e grupit parlamentar të PD shprehen se në lidhje me këtë çështje Berisha është shprehur: “Ne jemi të kushtëzuar të negociojmë vetëm me partinë më të madhe të opozitës, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër. Propozimet kanë ardhur nga PS dhe ajo është partia më e madhe e opozitës”.
Kryeministri mësohet të jetë shprehur se do ishte një hap shumë i madh mbrapa, në rast se opozita do të bojkotonte zgjedhjet e vitit 2009. Me opozitë në këtë rast kryeministri ka parasysh sërish Partinë Socialiste. “Unë mendoj se do ishte një kthim i madh mbrapa, në rast se opozita do të bojkotonte zgjedhjet e ardhshme”, - është shprehur kryeministri.
Duket se me këtë deklaratë të kryeministrit mazhoranca edhe një herë ka treguar se nuk do të ulet në bisedime me deputetët grevistë, duke ia lënë këtë pjesë Partisë Socialiste, e cila duket se është dhe propozuesja e ndryshimeve në Kodin Elektoral.