Greva inkurajoi shoqërinë shqiptare
Dhjetë deputetët shqiptarë që ishin ngujuar në grevë urie i dhanë fund dje protestës së tyre, pasi Kuvendi i hapi rrugë miratimit formal të Kodit të ri Zgjedhor. Vendimi i tyre për të ndërprerë grevën ishte një fund logjik dhe i arsyeshëm. Për shumëkënd që është mësuar t’i shikojë betejat bardhezi, fundi i kësaj greve mund të konsiderohet mision i papërfunduar. Por realisht greva pati sukseset e saj.
Suksesi i parë i kësaj greve urie në Kuvend ishte rritja e profilit politik të polit të tretë në politikën shqiptare, i cili provoi se ishte në një betejë të pabarabartë me dy forcat e mëdha politike në vend. Ky është një investim i mirë politik, i cili do t’i shërbejë betejave të tyre politike në të ardhmen. LSI, por dhe demokristianët, arritën të profilizohen si identitete të pavarura politike, të cilat realisht duhet të ruajnë këtë aleancë deri në zgjedhje. Kodi i ri imponon aleanca të gjera dhe sprova e rezistencës së tyre në Kuvend duhet të vazhdojë.
Një tjetër sukses i grevës ishte ngritja e vetëdijes së opinionit publik për transparencën e procesit të votimit. Një peticion i nënshkruar nga mbi njëqind figura politike, intelektualë dhe njerëz publikë ishte një tregues i rëndësishëm se shoqëria shqiptare po i dëgjonte dhe po i pranonte arsyet përse ata ishin futur në grevë urie.
Greva po ashtu zgjoi zëra të pavarur politikë nga e majta dhe e djathta. Presidenti Topi, deputeti Mustafaj, nga e djathta, por dhe dy ish-presidentë të Republikës, Mejdani dhe Moisiu, apo figura emblematike të së majtës, si Agolli, u rreshtuan publikisht krah arsyeve për të cilat ata hynë në grevë urie.
Sukses i dukshëm për grevën ishte dhe mbështetja që ata morën nga media dhe shoqëria civile. Diplomatët perëndimorë po ashtu u detyruan të përsërisin thirrjet për konsensus duke e regjistruar këtë si një përkeqësim të klimës parazgjedhore.
Fuqia politike e partive që hynë në grevë, është realisht më e vogël sesa interesi që ngjalli në shoqëri gjesti i tyre dhe kjo është një arsye që tregon se suksesi i grevës ka zgjeruar hapësirën politike për ta.
Tani ajo që është e rëndësishme për ta, nuk është bilanci i grevës, por aksioni politik që duhet të pasojë atë. Duke u fokusuar si poli i tretë në politikën shqiptare, ata duhet të ruajnë principet për të cilat u ngujuan në grevë dhe mbi bazën e tyre të ndërtojnë platformën politike për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe për t’u faktorizuar politikisht në zgjedhjet e ardhshme. Greva e urisë dha një provë, se konsensusi i imponuar parlamentar nuk përputhet me mentalitetin e shoqërisë, dhe për këtë deputetët që lanë dje sallën e Kuvendit kanë meritën e tyre. Ata kanë meritë mbi të gjitha për faktin se e zgjuan shoqërinë shqiptare nga fataliteti i pranimit të një oferte të imponuar nga dy forca politike.