E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova 1999

Nga Baton Haxhiu

Tina Kaidanow, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, kishte veshur kostum kuqezi gjatë një interviste në RTK. Si simbolikë në paraqitje kishte harruar se flamuri i Kosovës kishte marrë të tjera nuanca ngjyrash prej 17 shkurtit. Por, nën simbolikën kuqezi ajo qartësoi pozicionin e SHBA për gjashtë pikat evropiane. Këtu përfundoi edhe mandati i fuqisë së saj dhe fjalisë së famshme që i dha përfaqësuesit të OKB: “Para se të bisedoni me shqiptarët, duhet të flisni me mua”. Por, për këtë më vonë.

Kosova dhe qeveria e saj thuhet se nuk i kishte pritur gjashtë pikat evropiane të propozuara. Dhe ishte totalisht naive. Siç duket naiv edhe reagimi post i shumë njerëzve në Kosovë.

Ne menduam se pavarësi e protektuar do të thotë liri. Se nacionalizëm ekstrem nuk do të thotë proces i ndërtimit të secesionit. Si zakonisht, kur beson shumë, edhe gabon. Shpresuam për rregull. Po del se do të ketë rrëmujë të egër, të zhurmshme. Në emër të nacionalizmit po shkatërrohen referenca të qëndrueshme, duke përfshirë edhe konferencën paqësore të Vjenës dhe planin e Ahtisaarit. Po shkatërrohet edhe Çmimi Nobel për paqe i njeriut që ndërtoi planin paqësor për Kosovën. Të gjitha këto po tentohen të copëtohen në mënyrë të pandreqshme. Në emër të përkëdheljes për Serbinë, u harruan të gjitha gjërat, edhe gjenocidi, edhe dhuna, edhe vrasjet, edhe përçmimi ndaj vlerave evropiane dhe botërore.

Po kthehemi te kaosi politik që kishte ekzistuar para se të formohej shteti i ri i Kosovës. Ne prisnim me padurim një rend logjik dhe juridik të shtetit të ri që po ndërtohej me ndihmën ndërkombëtare dhe po largoheshim nga pushtetet dhe mentalitetet e plakura të viteve të fundit të shekullit të kaluar. Por nuk ndodhi. Pse e bëra këtë hyrje? Sepse asgjë nuk po ndodh nga kjo pjesë teorike e shkruar. Ka ndodhur diçka krejt tjetër gjatë kësaj periudhe dhe po ndodh diçka krejt tjetër në atë që po vjen. Po çka ndodhi në të vërtetë?

Në kohën kur ende ishin shenjat e gëzimit të një shoqërie të pavarur pas 17 shkurtit, në mars të këtij viti, qeveria e Kosovës dhe kryetari i Kosovës të ekzaltuar nga ajo që kishte ndodhur (shoqëri me trauma i thonë), i kishin dhënë të drejtën përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare (Quintit) të bisedonte për shtrirjen e EULEX në Kosovë. Dhe kjo përkrahje ndodhi me mandate të qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Kosovës, duke besuar deri në naivitet për atë që do të vijë.

Në qershor të këtij viti nuk u mor seriozisht letra e dërguar nga OKB që po ndërtohej një proces për shtrirjen e EULEX pa kosovarët. Dhe krejt kjo ishte ndërtuar në mirëbesim, duke shpresuar se SHBA dhe shtetet evropiane do të ndërtonin një proces që nuk do ta cenonte integritetin territorial dhe Kushtetutën e Kosovës dhe funksionimin e këtij shteti të porsakrijuar.

Për ta shkurtuar fare këtë rrugë (sepse kanë ndodhur edhe disa deklarime publike ndërkohë), po dal te nëntori dhe gjashtë pikat. Erdhi një dokument aq i papritur pas tetë muaj negociatash, sa gjeti qeverinë kosovare të hutuar. Por shpresonin se ky dokument mund të bëhet i negociueshëm me një ndërhyrje, që zakonisht kishte adresën e caktuar. Ideja e parë ishte se nuk do t’i pranojmë gjashtë pikat dhe për këtë kemi mbështetjen, e kujt tjetër pos Tina Kaidanow-it, shefes së zyrës amerikane.

Thuhej se ishin të sigurt se pas kontaktit me të nuk mund të pranohej një plan i tillë. Por diçka ndodhi në Uashington. Fuqia e shefes Kaidanow u zbeh shpejt. Thuhet se Departamenti i Shtetit tashmë është në tranzicion dhe për momentin askush nuk mund të marrë vendime kundër Evropës dhe planit prej gjashtë pikash. Daniel Fried, njeriu që frymonte me Ballkanin, ka mundësi që është rrugës të pensionohet dhe nuk delegon fuqinë e mëparshme, sepse duhet respektuar data 20 janar e vitit të ardhshëm, kur fuqia e këtij pushteti kalon të Obama dhe sekretari i ri i Shtetit.

Dhe të kthehemi të fillimi i tekstit. Doli ambasadorja Kaidanow në intervistën e RTK dhe deklaroi atë që bënë shtetet evropiane. Mohuan gjithçka që kishin ndërtuar në Kosovë. Një qeveri shumë luajale që kishte thënë “PO” për të gjitha gjërat, e detyruan të kthente fjalë duke komunikuar fjalën “JO” pas një periudhe bukur të gjatë. Kjo ishte “JO” kundër të gjithë atyre që kishin ndihmuar pavarësinë e këtij vendi, por që e rrezikonin atë thellësisht.

Të kthehemi të esenca: Bënë mirë apo keq që thanë “Jo”? Ka shumë pyetje që duan përgjigje: Ky propozim padyshim e mohon ekzistencën e ruajtjes së integritetit territorial. Mohon planin paqësor të Ahtisaarit dhe mohon rregullin e famshëm që ky vend nuk mund t’i bashkohet asnjë vendi fqinjë.

Por ka shumë gjëra të tjera që e bëjnë planin problematik: NATO ka filluar të transformojë TMK në FSK. Të mos harrojmë që kjo pikë është pjesë e planit të Ahtisaarit….

Por çështja është: A mund ta kontrollojmë ne Veriun? Jo. A mund të vendosim shtetin juridik dhe shtrirjen e Kushtetutës pa bashkësinë ndërkombëtare. JO. A mund të zgjidhim problemin e veriut me një stuhi kroate: Jo. Shumë rrezik. A mund të hyjmë politikisht në veri. Jo e madhe.

Pyetja esenciale mbetet: A më mirë është që të jetë një veri i kontrolluar me kriminelë apo një veri i sunduar nga EULEX dhe serbët?

Kjo e fundit do shqyrtim. Por jo duke pranuar planin, por duke ndërtuar një kontratë të re kosovare me bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo e do një blof të qeverisë së Kosovës. Duhet të dalë shpejt me një propozim të ri e jo të thotë vetëm një “JO” për planin. Të dinamizojë procesin me propozime që ta shtyjë procesin deri në fillim të vitit, kur SHBA bëhet me sekretar Shteti dhe Çekia merr mandatin e udhëheqjes së BE.

Blerja e kohës ia kthen fuqinë edhe ambasadores Kaidanow, edhe idesë që të ndërtohet një kontratë për garancinë ndërkombëtare për veriun. Letra nga Solana nuk mjafton, sepse BE si institucion nuk e njeh Kosovën shtet. Në këtë drejtim Spanja do të refuzojë çdo kontratë të nënshkruar nga BE për Kosovën, sepse Kosova, thjesht, nuk është e pranuar në BE. Këmbimi i letrave ndërmjet qeverisë dhe Solanës nuk është garanci. Janë vetëm letra që e humbin fuqinë, posa të lexohen. Mbeten vetëm letërkëmbim.

Ose, ta zëmë, gjatë kësaj periudhe të kërkojë takim direkt me serbët, ose të dalë me propozimin që për veriun vlejnë të gjitha rregulloret e UNMIK të aprovuara në Kosovë gjatë periudhës pas vitit 1999.

Këto rregullore të implementohen dhe të jenë në fuqi me mandatin e EULEX, duke i dhënë fund mandatit të UNMIK në Kosovë. Veriu duhet ta ketë mandatin e kufizuar të Kosovës së vitit 1999.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›