E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimi te politika dhe kërcënimi për demokracinë

Zef Preçi 

Ditët e fundit doli nga shtypi raporti “Ballkan Monitor 2008 - Insights and Perceptions: Voice of Ballkans”, një botim i GALLUP i bazuar në një vrojtim me mbi 1000 intervista të kryera në secilin vend të rajonit tonë gjatë periudhës shtator-tetor 2008. Pyetjet kryesore, të adresuara kryesisht në kontekst ekonomik, kishin të bënin me vlerësimin që qytetarët kanë mbi gjendjen e tyre ekonomike dhe standardet e jetesës, zhvillimin, vendet fqinje, besimin publik ndaj institucioneve në secilin vend, perceptimin e tyre mbi mundësitë e punësimit brenda vendit etj. Siç dihet, deri në këtë vit, të gjitha vendet ballkanike kanë nënshkruar marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit në BE (përveç Kosovës), gjë që ka nxitur studiuesit të adresojnë edhe një numër pyetjesh në lidhje me procesin e integrimit evropian të vendeve ballkanike dhe mbështetjen e qytetarëve të secilit vend ndaj këtij procesi.
Për shkak të besueshmërisë së njohur të agjencisë që ka publikuar dokumentin në fjalë, mendoj se ia vlen të sillen disa nga gjetjet kryesore të raportit për Shqipërinë. Kështu, qysh në krye të herës të bie në sy konstatimi thelbësor i qytetarëve shqiptarë të intervistuar, të cilët janë mjaft mbështetës ndaj procesit të integrimit evropian, por të gatshëm “për të lënë vendin”. Shumica e tyre besojnë se Shqipëria do të mirëpritet nga BE-ja për të qenë një shtet anëtar i këtij bashkimi - 83%, pra besojnë se anëtarësimi në BE do të jetë në të mirën e Shqipërisë.
Duke vlerësuar gjendjen ekonomike të vendit, 7 në 10 qytetarë shqiptarë të intervistuar deklarojnë se ajo është “e keqe”. Në nivel rajonal, gjendjen e ekonomisë së vendit të vet si “jo të mirë” e deklarojnë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës (9 në 10 të intervistuar); në Kroaci dhe në Serbi 8 në 10 vetë dhe në Kosovë 2/3 e të intervistuarve deklarojnë të njëjtin perceptim mbi gjendjen e ekonomisë së vendit të tyre.
Korrupsioni dhe ryshfeti për zyrtarët qeveritarë dhe nëpunësit civilë në Shqipëri raportohen si fenomene të shtrira gjerësisht dhe nga më të lartat në të gjithë rajonin (1/3 e të intervistuarve deklarojnë se kanë paguar nën dorë të paktën njëherë gjatë vitit të shkuar). Ky tregues, në nivel rajonal është 1 në 10 qytetarë të intervistuar. Sado relativ të jetë ky tregues, ai dëshmon sa boshe është propaganda qeveritare mbi “tolerancën zero” dhe “arritjet spektakolare” janë në “luftën kundër korrupsionit si qëllim i jetës së kryeministrit Berisha”.
Sa i takon besimit të publikut ndaj qeverisë aktuale shqiptare, nga vrojtimi i GALLUP-it rezulton se vetëm 29% e qytetarëve të intervistuar besojnë se kabineti Berisha po bën përpjekje për të luftuar krimin e organizuar. Në nivel rajonal, besimi i publikut ndaj institucioneve kombëtare është i nivelit nga i ulët në mesatar dhe vetëm kisha, ashtu si dhe organizatat e tjera fetare, gëzojnë besimin më të lartë të qytetarëve të vendit. Eshtë interesante të theksohet se në rastin e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, besimi ndaj NATO-s është edhe më i lartë se ndaj fesë. Në lidhje me mobilitetin apo lëvizshmërinë e popullsisë shqiptare, vrojtimi tregon se 2/5 e familjeve shqiptare kanë një pjesëtar të tyre që punon ose që studion jashtë vendit. D.m.th konfirmohet vartësia e dukshme e ekonomisë sonë kombëtare nga prurjet e emigracionit, e bashkë me të dhe rreziqet e mëdha që kërcënojnë ekonominë tonë kombëtare nga kriza ekonomike botërore që po troket.
Ndërsa më shumë se 1/3 e shqiptarëve të intervistuar deklarojnë se ata dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre drejt perëndimit. Ky tregues është edhe më i lartë se në Kosovë (përkatësisht 69% dhe 66%) dhe më shumë se tri herë më i lartë se në vendet e tjera të rajonit (afërsisht 20% e qytetarëve të këtyre vendeve – përveç Kroacisë (7%) deklarojnë se dëshirojnë të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë jashtë tij.
Kështu, duke iu referuar të dhënave të vrojtimit mbi besimin publik ndaj institucioneve shqiptare, vetëm 2-3 javë më parë, situata ishte si në tabelë.
Nga të dhënat e raportit duket qartë se renditja e partive politike në vendin e fundit sa i takon besimit politik (vetëm 1 në 4 shqiptarë beson në to) ka shërbyer si një nxitje shumë e fuqishme në marrëdhëniet e PD-së dhe PS-së, marrëdhënie të cilat i kanë dhënë vendit pamjen e një bashkë-qeverisjeje të dyshimtë që rrezikon vetë fatet e demokracisë së vendit. Gjithashtu, vihet re se në vendin tonë është rritur edhe numri i abstenuesve (qytetarëve që refuzojnë të japin opinionin e tyre), por edhe i atyre që kanë frikë të shprehin këtë opinion posaçërisht për qeverinë dhe partitë politike. Kjo në ndryshim të dukshme në raport me institucionet e tjera për të cilët qytetarët e intervistuar janë pyetur për të deklaruar besueshmërinë e tyre. Pasqyra e mësipërme e tregon qartë se të intervistuarit flasin lirshëm për NATO-n, BE-në, OKB, median etj., por rezervohen dhe refuzojnë në nivel shumë të lartë  të deklarojnë besimin e tyre të qeveria dhe partitë politike (përkatësisht me shumë se ¼ dhe më shumë e 1/3 e të intervistuarve).
Ndërsa debatohet këto ditë për Kodin Zgjedhor, mjafton ky vrojtim i ditëve të fundit i GALLUP-it për të kuptuar se humbja e besimit publik ndaj politikes në tërësi ishte dhe mbetet baza më e fuqishme e bashkëpunimit të dy partive kryesore politike për të kuptuar orientimin që ka marrë qeverisja e vendit: mbrojtjen me çdo çmim të interesave ekonomike të elitës politike në pushtet dhe në opozitë të pasuruar me pasuritë publike, taksat e qytetarëve, fondet e donatorëve etj. Eshtë e kuptueshme që në këto kushte, në rrezik është demokracia e vendit dhe jetesa e qytetarëve shqiptarë. Këta të fundit janë në dilemën e dhimbshme: besim tek Europa dhe rendje drejt saj duke braktisur "nga sytë këmbët" Shqipërinë … Në një farë mënyre, elita politike drejtuese e Shqipërisë së sotme po shndërrohet në përfaqësuese dhe zëdhënëse e oligarkisë financiare të vendit, gjë që ka zbehur dukshëm edhe besimin publik ndaj institucioneve të shtetit, siç e dëshmon qartë edhe vrojtimi i GALLUP-it i analizuar më sipër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›