E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundëranalizë

Edmond Tupja 

Në këto çaste paszgjedhore, por edhe para e gjatë zgjedhjeve, të shumta kanë qenë analizat e shpalosura nga analistë e opinionistë të të gjitha cilësive, shijeve e ngjyrave. Të tërë, me seriozitetin më të madh – siç e kërkonte dhe e kërkon vetë situata – zbërthyen, po zbërthejnë e do të vazhdojnë të zbërthejnë faktorët – subjektivë e objektivë –, kontekstin – e brendshëm e të jashtëm – dhe ndikimin – fatlum apo mjeran – e këtyre zgjedhjeve në të tashmen e në të ardhmen e atdheut tonë të dashur kapitalist. Duke mos e ndier veten në lartësinë e analistëve në fjalë – disa prej të cilëve i kam miq –, po guxoj sot t’i propozoj modestisht lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime, këtë kundëranalizë që si pikë më të fortë më duket se ka pikërisht mungesën e tepruar të seriozitetit. Le të më lexojë, pra, e të më gjykojë me mirëkuptim.
Pa asnjë dyshim, këto zgjedhje parlamentare janë më interesantet që ka njohur Shqipëria deri më sot, të paktën qysh nga rënia e regjimit hoxhist. Kaluam më në fund nga rezultati 99,99 për qind i kohës së pites komuniste në atë gati 50 për qind me 50 për qind të kohës së hamburgerit kapitalist. Ky kalim u shoqërua kësaj radhe me një apasionim politik të përgjithësuar të shoqërisë shqiptare. Kurrë më shumë se në këto zgjedhje shqiptarët nuk e kanë vënë “politikën në plan të parë”, jo vetëm ata të përditshmit që nuk bien në sy, por edhe figura të njohura publikisht. Kjo dukuri u shoqërua edhe me një kruarje disakatëshe të homo albanicus-it: së pari, kruarje sysh para ekranit të televizorit, aq shumë u ndoq ecuria e procesit zgjedhor, pastaj e atij të numërimit të votave dora-dorës që koha kalonte duke shkërmoqur orët e ditët e saj; së dyti, kruarje veshësh për ata që tendoseshin drejt fjalëve të analistëve e të opinionistëve në studiot televizive e radiofonike; së treti, kruarje e kores së trurit (cortex), e krejt aparatit cerebral të të menduarit e të të arsyetuarit; së katërti, kruarje e zonave të thella të trurit (subcortex), e nënvetëdijes që, ndër të tjera, lidhet me libidon (dixit Freud). Kam përshtypjen se kjo kruarje kombëtare, e një kënaqësie që shkon deri në dhimbje (sado-mazohizëm?), mund të krahasohet vetëm me zgjeben (Ky shkrim mund të kishte pasur si titull “Zgjebja e zgjedhjeve”)
Duket sheshit, më në fund, se zgjedhjet me rezultate të shtrënguara po hyjnë, me gjithë vonesën e vërejtur, në kulturën politike shqiptare, se shoqëria jonë është ndërgjegjësuar që flakja tej e sistemit totalitar dhe përqafimi i sistemit demokratik e bëjnë të domosdoshme, pra, të pashmangshme si zgjedhën e zgjedhjeve ashtu edhe atë që gjenerali Dë Gol e quante “diktatura e partive”. Po, i dashur lexues i vëmendshëm dhe i paanshmën i rubrikës sime, ne, shqiptarët, që, para gati njëzet vjetësh, flakëm diktaturën e NJË partie të vetme, sot pranojmë, miratojmë, gëzojmë diktaturën e SHUMË partive, dhe zgjedhja jonë është e keqja më e vogël, e njëjtë me atë të francezëve, italianëve, gjermanëve, spanjollëve etj., etj., ngaqë pa një shumësi partish konkrete e jo virtuale nuk mund të ketë demokraci.
Unë jam gati i bindur se një ditë të afërt analistët, opinionistët dhe politologët tanë nuk do të vonojnë t’i bëjnë elektoratit shqiptar një analizë shkencore komplekse. Por, me lejen e tyre, po marr këtu guximin t’u paraprij, natyrisht me një seriozitet aspak të tepruar. Sipas mendimit tim modest, sot, në Shqipëri, ekzistojnë tri lloje votuesish: së pari, ata që votën e japin pas një analize racionale, fryt i mendjes (cortex), i vetëdijes së tyre, që, pasi gjykojnë çdo veprim të aksh partie, vendosin, me mendje të ftohtë, t’ia japin asaj votën e tyre, duke u nisur nga parimi “Mes dy a më shumë të këqijash, zgjidh atë më të voglën!”; së dyti, ata që votën ia japin aksh partie duke u nisur jo nga kritere racionale, logjike, por nga impulse pasionale, pak a shumë si tifozët që adhurojnë “skuadrën e zemrës” (Askush nuk thotë “skuadra ime e mendjes”, apo jo?); pra, edhe këta, duke ndjekur shembullin e tifozëve, votojnë për “partinë e zemrës”; së treti, ata që votojnë me rropullitë e tyre, d.m.th. me subkortex, sepse i magjeps, i deh, i dalldis, i josh gati seksualisht, veçse në mënyrë të pavetëdijshme, Udhëheqësi, Lideri, Njëshi i pagabueshëm që ndodhet në krye të aksh partie, fjalët dhe veprimet e të cilit janë fjalë e vepra të Perëndisë!
Personalisht, i përkas llojit të parë, që nuk përbën shumicën, por kjo s’do të thotë se nuk kam miq e shokë që i përkasin llojit të dytë, i cili, sipas meje, përbën shumicën relative të elektoratit shqiptar; përsa i përket llojit të tretë, këta janë më problematikët, më fanatikët, më të rrezikshmit për demokracinë e brishtë shqiptare; këta duhet të çintoksikohen sa më shpejt ose të kurohen më gjatë e më thellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›