LZHK ankimon rezultatin në qarkun e Tiranës
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e cila kandidoi në këto zgjedhje në koalicionin “Poli i Lirisë”, ka ankimuar dje rezultatin në katër KZAZ të qarkut të Tiranës, duke pretenduar parregullsi gjatë procesit të votimit dhe të numërimit të votave. Konkretisht partia e drejtuar nga Dashamir Shehi kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KZAZ-në 52, e cila është në njësinë 8 si dhe rinumërimin e votave në KZAZ-në 46 (njësia 2), KZAZ-në 59 (bashkia e Kavajës) dhe KZAZ-në 54 (njësia 10). Por në mbledhjen e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shtyjë shqyrtimin e këtyre kërkesave për shkak se nuk janë miratuar ende tabelat përfundimtare të qarkut të Tiranës. Vendimi u miratua me katër votat e komisionerëve të djathtë, pasi tre komisionerët e majtë propozuan që kërkesa të merrej në shqyrtim, duke qenë se materialet zgjedhore të 28 qershorit për këto zona që pretendohej ndodheshin tashmë nën administrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.