E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Humbja nuk shtyhet me deklarata optimiste

 

Aristir Lumezi

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, në një analizë të parë të zgjedhjeve akuzon partinë më të madhe opozitare, PS-në, se nuk arrti të ndërtojë një koalicion funksional, duke i parë partitë e vogla si pjesë të pushtetit, për shkak se kërkonte të përqendronte të gjithë pushtetin në një dorë. Milo akuzon komisionerët e PS-së se kanë masakruar votat e PDS-së gjatë procesit të numërimit të tyre.
Zoti Milo, pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare, duket se është qartësuar dhe rezultati i tyre. PD-ja ka fituar zgjedhjet, ndërsa koalicioni i PS-së rezulton humbës. Në një analizë paraprake, sepse analizat e thelluara do pasojnë në ditët e mëvonshme, cilat janë shkaqet që çuan në dështimin e këtij koalicioni?
Analiza të detajuara do të bëhen patjetër nga të gjithë faktorët politikë, të atij që u quajt “Bashkimi për Ndryshim”. Ne jemi duke bërë reflektime dhe analiza serioze, që do të sistemohen për të nxjerrë konkluzionet e duhura. Në një vështrim të shpejtë të humbjes si koalicion, unë do të radhisja disa arsye:
Së pari, humbja erdhi si rezultat i zbatimit të një sistemi dhe Kodi të ri Zgjedhor që ishte një eksperiment i prodhuar nga ‘kokat e arkitektëve’ të dështimeve zgjedhore në PS dhe që e ushqyen lidershipin e PS-së me një ide fikse, se ky kod mund të rrudhte në minimum LSI-në dhe të zhdukte nga skena politike partitë e tjera të së majtës, me qëllim që në një qeveri të mundshme të ardhshme të PS-së, të mos kishte kokëçarje në qeverisje dhe rivalitete të panevojshme. Kjo ishte skena nga u nis përpunimi i këtij sistemi dhe që u kthye në një bumerang për PS-në dhe autorët e saj. Kjo ndodhi, sepse në vend të qartësisë dhe të ndershmërisë politike, këta njerëz u udhëhoqën nga egoizmi dhe meskiniteti politik. U pa qartë që ky sistem ishte një nga shkaqet, sepse prodhoi rezultate ndryshe nga ç’ishin ofruar. Fakti që me dhjetëra dhe mijëra vota në përfundim të procesit nuk sollën mandate deputetësh, kjo është dëshmia më e mirë e budallallëkut e atyre njerëzve që sollën këtë sistem dhe këtë Kod Zgjedhor dhe dënoi koalicionin për fat të keq për të mbetur në opozitë.
Shkaku i dytë i humbjes është se nuk pati, ndonëse u fol, një platformë dhe strategji të qartë të koalicionit tonë. Përpos disa frazave të përgjithshme të rreshtuara në disa paragrafë, por të karakterit të përgjithshëm, nuk u arrit që elektoratit shqiptar t’i jepej një mesazh i qartë i bashkimit real, i bashkimit të së majtës, që u thanë shpesh si risi të sistemit, maksimalizimi i votës. Ky maksimalizim i votës u përkthye në PS si përqendrim i votës vetëm te PS. Këtë e dëshmoi lufta e pandalshme që na u bë, shpeshherë më e egër se edhe kundër PD-së, nga ana e njerëzve të PS-së në terren dhe e krerëve të fushatës së PS-së në lista e qarqe të ndryshme.
Keni fakte konkrete për këto akuza apo janë përshtypje...?
Jo, unë nuk flas kurrë pa pasur fakte të padiskutueshme, sepse është në natyrën dhe karakterin tim si person dhe si profesion. Kam me dhjetëra fakte që pa dashur të përmend emra konkretë, ia kam bërë të njohura kohë pas kohe gjatë fushatës kryetarit të PS-së dhe kam kërkuar ndërhyrjen e tij, që veprimet e disa figurave kryesore të PS-së të ndaloheshin. Madje në një shkëmbim sms që kam bërë me kryetarin e PS-së, pasi e kam informuar për këto qëndrime të përfaqësuesve të PS-së, i kam thënë që koalicioni përfundimisht është formal dhe nuk e kuptoj nëse këto raste që po evidentohen në terren janë rastësi, lajthitje apo qëndrime të qëllimshme ndaj aleatëve? I kam thënë gjithashtu se ne nuk do veprojmë siç po veproni ju dhe s’do dëmtojmë koalicionin dhe PS-në siç po bëni ju. I kam thënë gjithashtu se një situatë e tillë është e dëmshme për të gjithë koalicionin.
Gjatë procesit të numërimit ka pasur tjetërsim të votës suaj?
Gjatë procesit të numërimit u krye në mënyrë sistematike një masakër elektorale, një vjedhje e hapur e votave të PDS-së, por dhe partive të tjera që nuk kishin anëtarë të KZAZ apo në grupet e numërimit të votave. Faktet janë të shumta, por unë do ju përmend disa; në qarkun e Vlorës mua nuk më figurojnë votat e shumë njerëzve të mi dhe miqve të mi në qendra të caktuara që më janë dhënë dhe nuk i kam marrë, në Dibër figuron vetëm vota e kryetarit të PDS-së. Në Muhur, nuk mora veçse 2 vota, ndërsa mbështetja e tyre ndaj PDS-së ka qenë në mënyrë konstante maksimale. Po kështu dëshmi të tilla ka nga qarku i Korçës, Tiranës, Fierit etj. Kjo ishte dhe arsyeja pse koalicioni ynë arriti në këtë rezultat. Këto gabime strategjike dëshmuan se në lidershipin e PS-së ka pasur eufori, ka pasur diletantizëm dhe nuk ka pasur një strategji të qartë për ta udhëhequr koalicionin në një rrugë që do ta çonte atë në fitore. Vetë fakti që nuk u arrit me qëllim të krijohej një front unik real i të majtës shqiptare, por ajo shkoi në një koalicion fiktiv, paralajmëroi fatin e këtij koalicioni. Unë shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur. Ne kemi paralajmëruar herët që nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, Kodit Zgjedhor, nga mënyra e kompozimit të koalicionit e deri tek administrimi i procesit zgjedhor, të gjitha këto ishin gabime fatale që do prodhonin një humbje të tillë. Këtu nuk është fjala për të larë duart si Pons Pilati nga përgjegjësia, por është mëse e dukshme që ne nuk u trajtuam as si bashkëvendimmarrës në koalicion apo bashkëpunëtorë në koalicion, por u pamë si pjesë e bezdisshme e koalicionit që duhej të hiqej qafe për t’i hapur rrugë përqendrimit të pushtetit në një parti apo në një dorë të vetme.
Zoti Milo, dy ditët e fundit pas konfigurimit të rezultatit ka një përpjekje të këtyre personave që ju i quajtët strategët e PS-së, duke u munduar t’i mbushin mendjen kryetarit socialist se numrat në rezultatin e përgjithshëm do të ndryshojnë pas ankimimeve në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. Sa e moralshme ju duket kjo në këto ditë?
Unë do uroja të ishte kështu dhe nëse do rezultonte kjo do të reflektoja seriozisht në mënyrë pozitive. Por kam frikë se këto janë lëvizje të dëshpëruara që të kujtojnë ato të vitit 2005, kur humbja ishte e qartë, por ajo përpiqej të shtyhej me deklarata optimiste për të ushqyer përkohësisht elektoratin e majtë me shpresën e fitores. Ne, në mënyrë të veçantë PS-ja, duhet ta shikojmë në sy të vërtetën e hidhur, duhet që të nxirren përgjegjësitë dhe shpresoj se kjo do të bëhet. Është shpejt sigurisht tani pa u mbyllur procesi zgjedhor. Analiza ime nuk është hakmarrje ndaj PS-së, por është një reflektim i shpejtë i shkaqeve që na çuan në këtë situatë dhe që në gjykimin tim do të sjellë ndryshime cilësore në të majtën shqiptare. Kërkohet një reflektim nga aktorët e përgjegjshëm që kanë dashur që e majta e bashkuar të fitonte zgjedhjet, sepse prapa tyre qëndruan qindra e mijëra shqiptarë që kërkonin realizimin e aspiratave të tyre.
Si gjykoni vendimin e LSI-së për të pranuar ftesën e kryeministrit Berisha për një bashkëqeverisje PD-LSI?
Ka patur prej kohësh simptoma që në rast se nuk do të kishte një zgjidhje më të mirë tjetër për LSI-në, do të arrihej drejt një kompromisi me Berishën. Nuk është rastësi, por besoj se ka qenë një qëndrim alternativ i përpunuar pas zgjedhjeve të vitit 2007. Nga kjo pikëpamje nuk çuditem, është pjesa e fillit, por ka qenë edhe klima jashtëzakonisht e tensionuar para dhe gjatë fushatës elektorale, ku mbizotëroi jo gjakftohtësia që duhet të karakterizojë liderët politikë, por mbizotëroi inati dhe kokëfortësia e shqiptarit me shqiptarin për të fyer njëri-tjetrin dhe jo për të gjetur emëruesin e përbashkët. Mendoj se do jetë një qeveri, që jo larg, do të ngjallë diskutime dhe besoj se do të ndodhemi para një ndarjeje që do të vijë gradualisht për shkaqe dhe arsye politike që vështirë se mund t’i pajtojë Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe anasjelltas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›