Provimet me zgjedhje, ngujohen hartuesit e AVA-s
Matura Shtetërore e këtij viti është drejt fundit. Tashmë janë ngujuar hartuesit e tezave për provimet me zgjedhje, të domosdoshme për t’u pranuar në universitet. Ata pritet të dalin nga “izolimi” mëngjesin e datës 10 korrik, kur të gjithë nxënësit do t’i nënshtrohen testit final. Nga sa pohojnë burime zyrtare, pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, ekspertët do të hartojnë rreth 12 teste, aq sa janë lëndët me zgjedhje të caktuara me një udhëzim të veçantë të MASH. Tezat do të përmbajnë pyetje me zhvillim dhe alternativa. Secila lëndë do të përmbajnë 20 pyetje, prej tyre 10 me alternativa dhe 10 pyetje me zhvillim. Për të pasur rezultate maksimale, çdo kandidat i shkollave të larta duhet të grumbullojë 40 pikë. Sidomos për këto lëndë i është dhënë më shumë prioritet pyetjeve me zhvillim, të cilat nëse kanë përgjigje të sakta do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa ato me alternativa në total kanë 10 pikë. Pra, për të njëjtin numër pyetjesh, raporti i vlerësimit është 3 me 1. Për plotësimin e testeve, kandidatët për në shkollat e larta do të kenë 4 orë kohë në dispozicion të tyre. Përsa i përket korrigjimit, ai do të bëhet nga vlerësues të jashtëm, mësues, pedagogë apo specialistë në fushën e arsimit. Provimet me zgjedhje nuk do t’i japin maturantët e viteve të mëparshme. Nëse ata u janë nënshtruar një herë, rezultatet do t’u njihen. Këtë vendim ministria e mori për herë të parë këtë vit, që nga fillimi i aplikimit të Maturës Shtetërore. Gjithashtu brenda javës që vjen të plotësojnë edhe formularin A2, për të renditur degët që ata preferojnë. Në bazë të koeficientëve që janë vendosur për çdo degë dhe të formulës që tashmë nuk ndryshon, duke mbledhur notat e provimeve të detyrueshme, dhe të atyre me zgjedhje e duke i shumëzuar me koeficientët përkatës, llogariten dhe pikët për çdo degë. Për të bërë zgjedhjen e duhur, maturantët duhet që këtë llogari ta bëjnë vetë paraprakisht. Në këtë mënyrë do të shohin se ku kanë më shumë shanse për të fituar. Nga sa kanë vendosur specialistët, në test do të ketë hapësirë për nxënësit e dobët, ata mesatarë dhe nxënësit e mirë dhe shumë të mirë. Kështu të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, do të kenë pyetjet e nivelit të tyre. Në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, ose nxënësit më të dobët. Niveli i dytë, ku hyjnë nxënës mesatarë, do të zërë në teste plot 80 për qind të totalit të pyetjeve. Niveli i parë, ose niveli i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 100 për qind hapësirë në test.