Fullani: Janë ulur kursimet,deficiti 300 milionë dollarë
Shqipëria është në krizë, janë ulur kursimet dhe po ritet deficiti buxhetor. Emigrantët nuk kanë sjellë më para nga jashtë, ndërkohë që deficiti i llogarisë ka arritur në 5 për qind të GDP. Bankat kanë shfaqur frikë dhe kanë ulur ndjeshëm kreditimin, ndërkohë që Qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet, duke sjellë një deficit të së ardhurave në 30 miliardë lekë, ose rreth 300 milionë dollarë. Megjithatë, çmimet e konsumit dhe e ardhmja e ekonomisë, janë më optimiste dhe kanë detyruar këshillin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të mos ndryshojë normën bazë të interesit. Këto ishin disa nga konkluzionet e skanerit që Banka e Shqipërisë i bëri ekonomisë shqiptare gjatë pjesës së parë të vitit dhe të ardhmes financiare të saj për pjesën e dytë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Guvernatori renditi disa nga rreziqet që i kanosen ekonomisë dhe stabilitetit financiar të vendit në 6-mujorin e dytë. Por sipas tij, deri tani është e parë e panevojshme ndryshimi i normës bazë të interesit, edhe pse kjo po kërkohet vazhdimisht nga biznesi dhe specialistë të tjerë të ekonomisë.
Kursimet dhe pasiguria
“Rritja e pasigurisë në tregjet financiare globale ka ndikuar në lëkundjen e besimit në sistemin financiar, duke ushtruar presion për shtrëngimin e kushteve financiare në Shqipëri. Të dy këta faktorë janë reflektuar në uljen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, duke sjellë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe duke ushtruar presion mbi treguesit fiskalë të së ardhurave buxhetore dhe të deficitit buxhetor”. “Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga norma të ulëta kursimi publik dhe privat edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, duke u shoqëruar me zgjerimin e mëtejshëm të deficitit të llogarisë korrente dhe duke rritur presionet mbi ecurinë e kursit të këmbimit”.
Rritja Ekonomike
“Banka e Shqipërisë gjykon se gjashtëmujori i parë i vitit është karakterizuar nga një rritje pozitive ekonomike. Nga ana tjetër, rritja e ulët e kredisë dhe e ofertës monetare, treguesit e përkeqësuar të besimit të biznesit dhe të konsumatorit, ngadalësimi i të ardhurave buxhetore dhe treguesve specifikë të sektorëve të caktuar të ekonomisë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike është zvogëlua”.
Inflacioni
“Pas një periudhe të gjatë dezinflacioniste dhe duke konfirmuar parashikimet e Bankës së Shqipërisë, ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit shfaqi prirje të lehtë rritëse, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009. Inflacioni vjetor shënoi normën 2.3 për qind në muajin qershor, duke reflektuar një përcjellje më të plotë të efektit të nënçmimit të kursit të këmbimit mbi çmimet e mallrave të konsumit. Banka e Shqipërisë gjykon se ky faktor mund të luajë një rol më të madh në të ardhmen në përcaktimin e këtyre çmimeve, duke përbërë premisa për goditje afatshkurtra dhe afatmesme mbi nivelin e çmimeve”.
Emigrantët dhe tregtia
“Rënia e njëkohshme e eksporteve dhe e importeve, respektivisht me 19.6 dhe 6.3 për qind në nivel vjetor, bëri që deficiti tregtar të ngushtohej me 1.3 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit. Megjithatë, ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 8 për qind gjatë tremujorit të parë si dhe përkeqësimi i llogarisë së shërbimeve, bënë që deficiti i llogarisë korrente të shënonte një rritje vjetore prej 5 pikësh përqindjeje të PBB-së, gjatë këtij tremujori. Megjithëse ky deficit shkon për të financuar në një masë të madhe mallra importi kapitalë dhe të ndërmjetëm, qëndrueshmëria e tij meriton një vëmendje më të madhe. Veçanërisht shqetësuese është shkalla e ulët e mbulimit të eksporteve ndaj importeve, e cila sinjalizon për probleme strukturore të këtij deficiti si pasojë e konkurrencës ende të ulët të ekonomisë tonë”.
Deficiti i qeverisë
“Politika fiskale gjatë gjysmës së parë të vitit 2009 ka pasur një natyrë ekspansioniste, duke u karakterizuar nga një rritje e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor. Të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje më të moderuar, duke reflektuar pjesërisht edhe efektet e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik. Megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për gjithë vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë do të vlerësonte marrjen e masave për kontrollin brenda niveleve të planifikuara të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë”.
Kreditë
“Portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Pakësimi i burimit të fondeve të bankave dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë. Megjithatë, kreditimi i ekonomisë ka njohur rritje përgjatë muajve të parë të vitit ndërkohë që sistemi bankar ka sinjalizuar mosshtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të kredisë gjatë tremujorit të tretë e në vazhdim.”
Konstatimet e Bankës
Kriza botërore ka ndikuar ekonominë tonë, duke lëkundur faktorët dhe ekuilibrat, të cilët kanë mbështetur rritjen ekonomike.
Këta faktorë janë reflektuar në uljen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, duke sjellë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe duke ushtruar presion mbi treguesit fiskalë të së ardhurave buxhetore dhe të deficitit buxhetor.
Pakësimi i flukseve hyrëse valutore është shoqëruar me përkeqësimin e treguesve të bilancit, të pagesave dhe lindjen e presioneve nënçmuese mbi kursin e këmbimit.
Rritja e ulët e kredisë dhe e ofertës monetare, treguesit e përkeqësuar të besimit të biznesit dhe të konsumatorit, ngadalësimi i të ardhurave buxhetore dhe treguesve specifikë të sektorëve të caktuar të ekonomisë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike është zvogëluar.
Normat afatgjata të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kredive kanë pasur tendenca rritëse, si pasojë e kërkesës së qeverisë për financim dhe ndjeshmërisë së rritur të sistemit bankar ndaj treguesve të likuiditetit.
Ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga norma të ulëta kursimi publik dhe privat.
Ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 8 për qind gjatë tremujorit të parë, si dhe përkeqësimi i llogarisë së shërbimeve, bënë që deficiti i llogarisë korrente të shënonte një rritje vjetore prej 5 pikësh përqindjeje të GDP-së.
Veçanërisht shqetësuese është shkalla e ulët e mbulimit të eksporteve ndaj importeve, e cila sinjalizon për probleme strukturore të këtij deficiti si pasojë e konkurrencës ende të ulët të ekonomisë tonë.
Politika fiskale gjatë gjysmës së parë të vitit 2009 ka pasur një natyrë ekspansioniste, duke u karakterizuar nga një rritje e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor.
Megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për gjithë vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë do të vlerësonte marrjen e masave për kontrollin brenda niveleve të planifikuara të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë.
Portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Pakësimi i burimit të fondeve të bankave dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë.
Situata në tregun financiar u ndikua nga rritja e pasigurisë dhe rivlerësimi i primeve të rrezikut që shoqëruan mungesën e likuiditetit si pasojë e rrjedhjeve të depozitave dhe uljes së aktivitetit kreditues.
Interesat afatshkurtra në tregun e parasë kanë pësuar ulje si pasojë e reduktimit të normës bazë të interesit dhe përmirësimit të kushteve të likuiditetit. Interesat afatgjata janë rritur në kushtet e kërkesës së lartë për fonde afatgjata dhe rritjes së primit të rrezikut.