E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurimet, Qeveria: Komision i veçantë për ankesat

 

Së shpejti do të krijohet një komision i veçantë, i cili do të merret vetëm me shqyrtimin e ankesave, që mund të lindin gjatë zhvillimit të tenderave për prokurimet publike. Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila është autoriteti që shpall, organizon, mbikëqyr tenderbërjen në shkallë kombëtare, nuk do të jetë më Agjencia e Apelit. “Do të ngrihet një grup i veçantë, një lloj komisioni tjetër, i cili do të merret vetëm me shqyrtimin e ankesave. Kjo është një kërkesë edhe e raportit të vitit të kaluar të KE-së, por edhe në parim, nuk mund të jetë Agjencia e Prokurimeve Publike ajo që bën edhe gjykatësin. Në këtë rast, do të jetë një komision i veçantë, një lloj senati, i cili do të ketë të drejtën e shqyrtimit të ankesave dhe të verdiktit ndaj ankesave përfundimtare, në krahun administrativ, sepse krahas saj, sipërmarrësit kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës, e drejtë kjo që në asnjë rast nuk u është hequr atyre”, është shprehur dje gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›