E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homoseksualët, Berisha: OK martesave

 

ADI SHKEMBI

Maxhoranca e re parlamentare do të votojë në Kuvend një ligj për diskriminimin, ku përfshihen edhe martesat e homoseksualëve. Gjashtë vjet pasi një variant i këtij ligji u rrëzua në komisionet parlamentare si pasojë e presionit të madh publik, kryeministri Sali Berisha shprehet pro miratimit të këtij ligj kundër diskriminimit. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin, ku u miratua plani për liberalizimin e vizave, një prej problemeve që kanë të bëjnë me këtë proces, sipas kreut të qeverisë, është edhe sjellja ndaj të drejtave të pakicave të caktuara. “Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se, pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, ligji është në Parlament dhe do të shqyrtohet pasi është një standard që zhduk diskriminimin. “Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar t’i respektojë. Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin, sepse është opinioni. Më mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin”, vijoi më tej kreu i qeverisë, teksa në mbledhje nuk munguan as të qeshurat e anëtarëve të KNI-së. Gjashtë vjet më parë opinioni publik dhe klasa politike u përfshinë nga debati nëse duheshin lejuar martesat e personave të së njëjtës gjini në Shqipëri. Debati erdhi pikërisht gjatë kohës që Komisioni i Ligjeve në Parlament po diskutonte disa ndryshime në Kodin e Familjes. Në Kod, në asnjë rast nuk përcaktohej ndalimi i martesave të homoseksualëve. Ligji në pamje të parë dukej pak evaziv, por nuk e pengonte ndonjë çift që do të guxonin dhe të paraqiteshin në gjendje civile për të vendosur kurorë. Megjithatë si pasojë e debatit të madh dhe presionit që shkaktoi ky ligj, Parlamenti nuk e miratoi kapitullin për martesat, duke e lënë këtë një çështje të hapur, pavarësisht se në atë kohë u asistua nga Këshilli i Evropës.

“E rëndësishme të mos diskriminohen, për martesën le të vendosin ata vetë”

Projektligji kundër diskriminimit rregullon të drejtat e personave që janë pjesë e komuniteteve të diskriminuar, mes të cilëve dhe atyre seksualë. Një nga hartueset e këtij ligji, Elsa Ballauri, drejtuese e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut tregon në një intervistë për gazetën “Panorama” detajet e draftit dhe shpreh bindjen se ai do të miratohet shpejt në parlament. Ajo thekson faktin se shumica e vendeve të Evropës dhe disa nga vendet e rajonit e kanë miratuar tashmë një ligj të tillë.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje dakord për miratimin e një ligj kundër diskriminimit. Kush e ka hartuar këtë ligj?
Projektligji kundër diskriminimit është hartuar nga organizata që unë drejtoj, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut. Ka qenë viti 2006 dhe ne kishim një marrëdhënie pune shumë intensive me Komitetin Suedez të Helsinkit. Dano, një nga koordinatorët e kësaj organizate në Ballkan, ishte shumë pozitiv ndaj propozimit që unë i bëra për të hartuar në Shqipëri ligjin Kundër Diskriminimit. Në atë kohë, ai ligj diskutohej në Maqedoni dhe Kosovë. Puna për ligjin vazhdoi deri përpara disa muajve. Organizata jonë punoi me një grup pune të përbërë nga juristë të njohur shqiptarë dhe të huaj dhe më tej u bazua shumë mbi ekspertizat dhe sugjerimet e shumë organizatave në Shqipëri: atyre të minoriteteve, të pakicave homoseksuale, te handikapëve, të përfaqësuesve të ministrive përkatëse, u bazua mbi sugjerimet e OSBE-së, Këshillit të Evropës. Më tej kemi pasur një bashkëpunim me shumë organizata dhe ekspertë të tjerë, si ata të Komisionit Evropian, PNUD-t, ILGA (Organizata Ndërkombëtare e Gay dhe Lesbikeve), juristë dhe specialistë të fushës, etj. Mendoj që është një ligj shumë i mirë dhe uroj të ketë një implementim po aq të mirë.
Përse duhet një ligj i tillë në Shqipëri?
Diskriminimi është një perceptim të cilin shqiptarët ende nuk e kanë takuar. Diskriminimi sot në botë është lufta më e madhe mbi parimet e të cilit diskutohet dhe luftohet gjerësisht për të drejtat e njeriut. Në Shqipëri nuk është arritur ende momenti për ta kuptuar këtë fenomen të vjetër sa bota njerëzore. Shqiptarët janë një popull diskriminues. Por nuk janë ende të ndërgjegjshëm për këtë lloj pohimi. Diskriminimi është një sjellje e pandjeshme në shoqërinë tonë sepse është pjesë e pashmangshme e kulturës. Vetvetiu nuk e njohim të kundërtën. Përsa kohë do të udhëhiqemi nga ky kod, jemi viktima të vetes tonë. Kur përpiqemi të shohim ndryshe dhe ta konsiderojmë diskriminimin një shenjë padrejtësie që iu bëhet disa njerëzve, atëherë do të jemi të gatshëm të mirëpresim edhe iniciativa të tilla si ky ligj. Natyrisht që psikologjia shoqërore ndryshon me vështirësi. Nuk është kollaj të ndërrosh kulturën e një brezi që ka jetuar nën një shtet që dënonte me burgim homoseksualët, por është shumë kollaj të kuptosh se koha ikën dhe se ndryshimet duhet të bëhen sa më parë të jetë e mundur. Nëse Berisha ka aprovuar një ligj të tillë, i cili midis të gjitha minoriteteve që jetojnë në Shqipëri, mbron edhe atë të pakicave homoseksuale, kjo është një arritje politike e gjithë qeverisë së tij dhe një sfidë personale e vetë Kryeministrit, i cili e ka jetuar kohën e kriminalizimit të homoseksualizmit. Një ligj i tillë duhet sepse anti-diskriminimi, sipas mendimit tim, është një nga dyert e mëdha që i nxjerr shqiptarët nga kështjella e diskriminimit shekullor që po shembet.
Çfarë përmban konkretisht ligji që ju do të çoni në Parlament?
Ligji rregullon të drejtat e personave që janë pjesë e komuniteteve të ndryshme të diskriminuara, të tilla si: minoritete etnike, ato me ngjyrë, minoritete kulturore, grupet e margjinalizuara, si: handikapët, ata të orientimit seksual. Në ligj e gjejnë veten të gjithë ata mbi të cilët është ushtruar diskriminim. Një gjë shumë e rëndësishme e këtij ligji është se e drejta e këtyre personave rregullohet nëpërmjet gjyqeve që ata do të kryejnë. Një nga këto të drejta të shkelura, e cila është shumë e përhapur në Shqipëri, është ajo e punës. Shumë persona largohen nga puna si rezultat i diskriminimit të punëdhënësve, kjo ndodh shpesh me Romë, me homoseksualë, me handikapë, etj. Nëpërmjet këtij ligji, në këto raste, këta persona do të kenë mundësi të gjejnë të drejtën e tyre. Madje disa vende, si në USA, quhet “Akti Kundër Diskriminimit në Punë”, gjë që tregon se marrëdhëniet e punës janë ndër më diskriminueset në botë.
Në sa vende të Evropës vepron një ligj i tillë?
Pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, madje ky ligj është aprovuar vonë edhe në vendet e rajonit, si Serbi, Maqedoni dhe Kosovë. Anglia ka një ligj shumë të gjerë dhe të mirë mbi këtë problem. Gjithashtu është në të gjitha vendet e zhvilluara të botës, si Australia, Zelanda e Re, por jo në botën arabe.
Në vitin 2003 pati një tjetër përpjekje për të miratuar një ligj kundër diskriminimit. Përse u hoq ai nga kodi i familjes në atë kohë?
Ju flisni për Kodin e Familjes që ishte një tjetër gjë. Deri më sot, nuk ka pasur asnjë iniciativë të një ligji kundër diskriminimit. Përsa i takon Kodit të Familjes, atje ka bërë një përshtypje mediatike një shprehje mbi martesën (ku nuk përcaktohej seksi). Mendoj se ishte më shumë një lapsus i pamenduar se sa një përcaktim i ndërgjegjshëm. Lus të ishte kjo e fundit, që të kishim sa më pak homofobi në këtë vend.
Si do të pritet miratimi i këtij ligji në opinionin publik në vend?
Mendoj se do pritet pa problem. Për një palë, është një ligj që me logjikë na cilëson një vend të zhvilluar, për një palë tjetër një ligj që duhet të ekzistojë. Sigurisht, shumë njerëz që nuk e njohin ligjin do ta paragjykojnë atë. Një pjesë, madje mund të jenë indiferentë sepse do mendojnë që ligjet tona nuk implementohen.
Keni lobuar në Parlament për miratimin e këtij ligji dhe si do të pritet ai te deputetët e rinj, të cilët edhe do të votojnë kur të kenë draftin në tavolinat e tyre?
Kam më shumë besim te deputetët e rinj se sa tek të vjetrit. Megjithatë, sipas opinionit tim, ligji nuk do të këtë probleme në Parlament. Aq më tepër që ende nuk kemi parashikuar atje martesat e homoseksualëve. Kjo është një çështje që i takon të ardhmes. Për momentin duhet të mësohemi t’i respektojmë ata si një komunitet normal, aktiv, krijues dhe paqësor, t’iu krijojmë atyre mundësinë e një jete të qetë, pa strese dhe pa diskriminim. Nëse del nevoja e martesave, kjo është një gjë që do ta vendosin ata vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›