Produktet bujqësore: Fermerët i shesin lirë me shumicë, por spekulojnë tregtarët
Ervin KOÇI
Produktet bujqësore edhe pse jemi në kulmin e sezonit të prodhimit, përsëri vazhdojnë të mbeten një luks për një pjesë të madhe të familjeve të varfra shqiptare. Shkak është çmimi i kripur i këtyre produkteve, që dhe pse janë prodhim vendi përsëri nuk tregtohen më lirë se sa ato të importit. Por ka mjaftuar një vëzhgim nga gazeta “Albania” përgjatë aksit rrugor Tiranë-Fier për të konstatuar qartë superprodhimin vendas që po kalbet në ara, si dhe superspekulimin nga ana tjetër që bëjnë me çmimin tregtarët dhe grosistët në kryeqytet. Këta të fundit duke përfituar edhe nga fakti se Tirana është një furnizuese me këto produkte edhe për një pjesë të rretheve të veriut të vendit dhe të shumë tregjeve të saj, i mbajnë të shtrenjta çmimet e produkteve bujqësore. Në tregjet e shumicës të produkteve bujqësore në Lushnjë dhe Fier, fermerët që i sjellin prodhimet e tyre nga arat dhe serat, thonë se këtë vit për një pjesë të produkteve kanë pasur superprodhim. Kjo i ka detyruar ata që të mbajnë çmime shumë të ulëta për kilogram për mjaftë artikuj, me synimin e vetëm që t’i shesin sa më shpejtë. Por nga ana tjetër, ritmi i punës duket se prishet nga tregtarët grosistë, që vijnë në këto pika shumice dhe i marrin produktet mjaftë lirë për t’i tregtuar më pas shumë shtrenjtë.
Loja me çmimet
Në vetëm disa qindra kilometra distancë, nga fermeri në tregun e qytetit, çmimet e produkteve bujqësore vendase pësojnë rritje maramendëse. Këtu nuk bëhet fjalë as për barjera doganore dhe as për kontrolle cilësie, ku tregtarët mund të paguanin taksa të tëra, por vetëm për një udhëtim me dy ndalesa, ku produktet duhet të shkojnë nga fermeri tek konsumatori, e megjithatë çmimi sërish rritet shumëfish. Një praktikë e tillë po ndiqet edhe me produktet e stinës, fruta dhe perime, të cilat megjithëse në tregjet e shumicës në Lushnjë dhe Fier tregtohen me fare pak lekë për kilogram, gjatë udhëtimit për në kryeqytet brenda ditës atyre u rritet vlera deri në 15 herë. Fermerët e Lushnjës po marrin një superprodhim në kulturën e shalqinit këtë vit. Por kjo nuk i ka ndihmuar të rrisin fitimet e tyre pasi ata janë të detyruar që ta shesin me 4- 5 lekë kilogramin për të mos u kalbur në arë. Por e kundërta ndodh me çmimin e këtij produkti në tregjet e qytetit, ku tregtarët dhe grosistët e servirin për konsumatorin me 15- 20 herë më shtrenjtë. Në këtë mënyrë pjesa kryesore e fitimit shkon jo për fermerët por për tregtarët. Kjo gjë konstatohet fare mirë edhe po të shikosh fshatarët që vijnë në kryeqytet dhe i shesin produktet e tyre rrugëve dhe jo në tregjet e përcaktuara nga bashkia. Edhe këta i kanë disa herë më lirë shumë prej produkteve të tyre, sesa të njëjtat që tregtohen në tezgat e tregjeve të fruta-perimeve. Por në një kohë që tregtarët e pakicës ankohen se ata janë të detyruar t’i shesin pak më shtrenjtë produktet pasi paguajnë dhe taksat lokale, sërish kjo nuk justifikon faktin që shumica e prodhimeve vendase vijnë në kryeqytet shumë herë më shtrenjtë se sa bihen me shumicë tek fermeri.
Mungesa e kontrollit
Përball një fakti të tillë spekulimesh me çmimet e produkteve bujqësore të stinës, organet e Ministrisë së Bujqësisë që duhet të kujdesen edhe për mbrojtjen e konsumatorit, deri tani kanë bërë vetëm rolin e spektatorit. Kështu konsumatorët e kryeqytetit që mund të mos kenë të ardhura më të mëdha sesa banorët e Fierit apo Lushnjës, janë të detyruar (edhe pa e ditur) që të blejnë produktet bujqësore të stinës me çmime shumë të shtrenjta. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga tregtarët e pakicës, të cilët fajësojnë për këtë grosistët e ish-uzinës “Dinamo”, që sjellin dhe sasinë më të madhe të produkteve bujqësore në kryeqytet dhe që spekulojnë me çmimet e shumicës. Por kjo gjë vërtetohet edhe nga vet fermerët të cilët në jo pak raste kanë parë si më të udhës ardhjen dhe tregtimin e produkteve të tyre në kryeqytet, ku edhe pse fitojnë më shumë se sa shitja me shumicë, sërish i kanë çmimet më të ira se sa ato të tregjeve të pakicës në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Buxheti 2010, Ministria e Financave bëhet gati ta kalojë brenda 31 gushtit
Ministria e Financave ka lëshuar një dokument me firmën e ministrit Ridvan Bode, ku udhëzon përgatitjen e buxhetit për vitin 2010. Shkresa mban datën 10 korrik, ditë në të cilën ka nisur zyrtarisht puna për hartimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Sipas udhëzimit, të gjitha kërkesat për financim projektesh gjatë vitit 2010 duhet të dorëzohen brenda datës 31 gusht. Pra, dikasteri i Bodes do ta ketë gati draftin e projektbuxhetit, të paktën 4 ditë para se Kryeministri Sali Berisha të mandatojë qeverinë e re. Duke marrë shkas nga ndryshimet e fundit të parametrave ekonomikë, Ministria e Financave kërkoi rishikimin e programit buxhetor afatmesëm, mbi bazën e të cilit ministritë dhe institucionet e tjera qendrore duhet të përgatisin një listë me nevojat që kanë për fonde. Ministria e Financave u ka bërë të qartë institucioneve limitin e fondeve që mund të kërkojnë, nisur nga situata aktuale që ekonomia po kalon. Mësohet se nga rishikimi i programit buxhetor afatmesëm 2010-2012, ka pasur shkurtime fondesh për disa ministri, kurse disa të tjera kërkojnë shtesa. Për t‘u dhënë më shumë kohë ekspertëve për të diskutuar shpenzimet për vitin 2010, Ministria e Financave ka udhëzuar të gjitha institucionet qendrore që t‘i nisin propozimet brenda datës 31 gusht. Kjo është faza e dytë e përgatitjes së buxhetit, pas hartimit të programit buxhetor afatmesëm (faza e parë), miratuar nga qeveria pak kohë më parë. Duke iu referuar nenit 71 të ligjit "Për menaxhimin e sistemit buxhetor", do të aplikohen sanksione me gjoba për nëpunësit që nuk respektojnë afatet e vendosura nga Ministria e Financave. Ndëshkimet arrijnë deri me penalizime në pesë rroga, apo masa të tjera disiplinore. Zyrtarë nga ministria sqarojnë se institucioneve qendrore nuk do t‘u lejohet të kërkojnë fonde shtesë, pasi një procedurë e tillë është ndjekur gjatë fazës së parë, kur është miratuar programi buxhetor afatmesëm.
Mali i Zi në krizë të thellë, kërkon kredi nga jashtë
Qeveria e Malit të Zi duket se ka hyrë në vështirësi të mëdha financiare gjatë muajve të fundit, kryesisht për shkak të rënies së shpejtë të të ardhurave tatimore dhe vonesës së qeverisë në shkurtimin e shpenzimeve. Të ardhurat e republikës së vogël kanë rënë ndjeshëm për shkak se kriza ka ulur importet e mallrave. Ministri i Financave, Igor Luksic, deklaroi i lumtur në Parlament se qeveria ia ka dalë tani me sukses të shlyejë pagat, pensionet dhe asistencën ekonomike në kohë dhe se nuk është shënuar asnjë vonesë e tillë. Por tani, qeveria ka nevojë të shkurtojë ndjeshëm shpenzimet, në mënyrë që të mos hyjë në paaftësi për të shlyer detyrimet e veta. Propozimet aktuale janë që pagat e sektorit publik të reduktohen me 10 për qind, ndërsa investimet të shkurtohen me 34 për qind, me qëllim që të përballohet kriza. Mali i Zi ka euron për monedhë zyrtare që nga viti 2001 dhe mungesa e të ardhurave buxhetore nuk lë asnjë rrugë tjetër, përveç shkurtimit të shpenzimeve. Republika e vogël realizoi një rritje marramendëse ekonomike gjatë vitit të kaluar, furnizuar nga bumi në sektorin turistik, si edhe nga të ardhurat e bollshme të industrisë së rëndë. Por, gjithçka ka ndryshuar tashmë. Numri i turistëve është në rënie, ndërsa investitorët e huaj janë larguar. Vendimi më i gabuar i qeverisë së Podgoricës sipas ekspertëve ishte rritja e pagave të sektorit publik dhe pensioneve me më shumë se 30 për qind vitin e kaluar. Mali i Zi duhet të përballet gjithashtu edhe me rrezikun e falimentit të kompanisë kombëtare të fluturimeve ajrore, një aset shumë i rëndësishëm ky, pasi shërben për të sjellë turistët e pasur nga Europa Perëndimore.
30 Korrik 2009