E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelen masterat, ja programet e reja për universitetet

 

zirina llambro

Hapen programe të reja master për Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor, Universitetin Politeknik dhe Akademinë e Arteve. Qeveria miratoi dje çeljen e tyre. Kështu “Master të nivelit të dytë”, në UT do të ofrojnë fakultetet e Historisë dhe Filologjisë: përkatësisht në  “Gjuhësi”, e “Studime letrare”, në “Shkencën e bibliotekave”, në “Gjeografi”, “Gjeografi fizike dhe mjedisore”, si dhe në “Gjeografi humane“. Ndërkaq në po këtë universitet, Fakulteti i Shkencave Sociale do të ofrojë të njëjtin cikël studimesh për “Kërkime në edukim”, “Kërkim psikologjik”, “Kërkim shkencor në punë sociale”. Edhe Fakulteti i  Drejtësisë do të ketë master të nivelit të dytë në “Shkenca juridike civile”, në “Shkencat penale”, në “E drejta kushtetuese, e krahasuar dhe evropiane”, “Programet e studimeve “Master i nivelit të dytë” realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe kohëzgjatja normale është, minimumi, një vit”, thuhet në vendim. Gjithashtu po dje u vendos hapja  në Fakultetin e Muzikës, të Akademisë së Arteve, të programeve të studimeve, “Master i nivelit të dytë”, përkatësisht për “Kompozim”, “Muzikologji”, “Interpretim” me profilet përkatëse. Për vitin e ri akademik  në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, do të hapen programet e studimeve, të ciklit të tretë, të doktoratës, në mjekësi veterinare. Ndërkaq “Master të nivelit të dytë”, në Universitetin Bujqësor do të ofrojë Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit në “Teknologji mjedisi”, në “Menaxhimi i resurseve dhe përmirësimi gjenetik i bimëve”, në “Kontrolli i integruar i parazitëve në bimë”, “Hortikulturë e qëndrueshme” dhe në “Shkencat e prodhimit shtazor”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND), në shkencat e prodhimit shtazor. Gjithashtu Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit: në “Ekonomi dhe agrobiznes”, me profilet e caktuara. Nga ana tjetër Fakulteti i Mjekësisë Veterinare do të ketë master të nivelit të dytë, në “Mjekësi veterinare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›