E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje me thikë se i kishte rrahur fëmijën



Laureta Rryçi

Vrasje me thikë në periferi të Tiranës. Burime nga policia bëjnë të ditur se për shkak të një grindjeje banale është vrarë me thikë në Sauk shtetasi Ylli Frashëri. Policia ka mundur të identifikojë e më pas të arrestojë autorin e krimit, Shaban Allaraj. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 19:30 minuta në ambientet e biznesit të Frashërit, i cili ishte pronar i një pike të shitje hekuri. Dyshohet se shkaku i grindjes ka qënë rrahja e djalit të autorit të krimit nga viktima.
Ngjarja
Krimi godet sërish në kryeqytet. Një vrasje me thikë ka ndodhur në periferi të kryeqytetit, në zonën e Saukut. Ylli Frashëri, pronar i një pike shitje hekuri, ka mbetur viktimë e goditjeve me thikë brenda ambjenteve të biznesit të tij. Policia ka identifikuar dhe më pas arrestuar si autor të krimit Shaban Allaraj, i cili fill pas ngjarjes ka tentuar ti shpëtojë prangave të policisë, por është arrestuar në të dalë të Saukut. Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive banale. Shkak mendohet të jetë bërë një sherr mes viktimës dhe djalit të autorit të krimit.
Arrestimi
Ndërsa ekspertët janë marrë më këqyrjen e vendngjarjes, hetuesit kanë nisur menjëherë marrjen në pyetje të autorit. Burime nga policia shpjeguan mbrëmë se autori ka pranuar krimin dhe më tej ka zbardhur motivin. Ai mësohet se është shprehur se është nervozuar shumë kur ka mësuar se fëmija e tij ishte qëlluar nga Ylli Frashëri. Pasi ka dëgjuar fëmijën, nuk është menduar dy herë por është nisur drej te vendi i punës i Frashërit. Fillimisht kanë nisur debatet me fjalë, mirpo më tej sherri ka degjeneruar deri në krim. Allaraj ka nxjerrë thikën që kishte me vete dhe ka goditur për vdekje Frashërin. Ky i fundit edhe pse i është dhënë ndihma mjekësore sërish nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rëndë që i ka shkaktuar thika. Pas dëshmisë së tij, mësohet se policia do të marrë edhe dëshmitë e tjera të dëshmitarëve që kanë qenë prezent në momentin e krimit. Më tej dosja do të përgatit dhe do të dërgohet në Prokurorinë e Tiranës për procedura të mëtejshme. Pas 72 orësh autori do të paraqitet në gjykatë ku do të njihet jo vetëm me akuzën zyrtare por edhe me masën e sigurisë që do të jepet ndaj tij.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›