E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Të intensifikohen marrëdhëniet Shqipëri-Beograd

28/01/2005  Zgjatja e statukuosë së Kosovës mbart rrezikun e destabilitetit

Lëvizja Socialiste për Integrim, me anë të nënkryetarit të saj, Pëllumb Xhufi, ka theksuar se gjendja e statuquosë në Kosovë është e patolerueshme. Sipas tij, "zgjatja e mëtejshme e saj mbart rrezikun e tensionimit të situatës e të kthimit prapa. Ka ardhur koha që gjithë faktorët e interesuar të ballafaqohen me çështjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës, ashtu siç edhe parashikohet nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit".

Gjithashtu, përfaqësuesi i LSI-së e shikon si zgjidhje të vetme, për situatën e krijuar në rajon, një forcimi progresiv të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo, sipas Xhufit, "do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e besimit e në përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë e përgjithësisht midis shqiptarëve e serbëve brenda dhe jashtë Kosovës". Nga ana tjetër, është bërë dhe një vlerësim për rolin e madh dhe interesin që institucionet ndërkombëtare kanë ndaj çështjes së statusit të Kosovës, ku vlen të veçohet raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave "Kosova drejt statusit final". LSI pajtohet me idenë që garantimi dhe mbrojtja e të Drejtave të Njeriut, posaçërisht të minoritetit serb, si dhe përjashtimi i çdo zgjidhjeje që e sheh Kosovën të ndarë ose pjesë të shteteve fqinje me të, duhet të udhëheqin negociatat për përcaktimin e këtij statusi. LSI shpreh bindjen e plotë se institucionet e zgjedhura të Kosovës, partitë politike e qytetarët e saj, do të tregojnë edhe më tej se vendi i tyre e meriton të bëhet anëtar me të drejta të plota të bashkësisë ndërkombëtare, duke u angazhuar seriozisht në përmirësimin e standardeve të demokracisë, të qeverisjes së mirë dhe të të drejtave të njeriut. "Ne inkurajojmë institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa të mëtejshme për të rritur besimin e pakicës serbe e për të siguruar pjesëmarrjen e kësaj të fundit në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës", thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›