E Diel, 1 Nëntor 2026

Të kurohesh me fjalë, psikoterapia, si mund ta shërojmë shpirtin



Disa vit burg, pastaj tetë vjet martesë të turbulluar, droga, një pasuri prej 400 milionë dollarësh e harxhuar me një frymë dhe borxhe pa fund. Pika kulmore ishte kur gjatë një ndeshje në ring, boksieri i “tmerrshëm” i kafshoi veshin kundërshtarit të tij Evander Holyfield. Ky është Majk Tajson, boksieri i privuar nga autokontrolli. Përkundrazi, ky ishte Majk Tajson, nëse duhet t’i besojmë asaj që ai tha në një intervistë televizive më 12 tetor: “Nëse nuk e di kush jam, mund të humbas kontrollin, të shkatërroj familjen time të mrekullueshme ose veten dhe unë nuk dua ta përshkoj më atë rrugë”. Sot, Tajson është i bindur se kush është dhe çfarë kërkon, falë një psikoterapie të nisur dy vjet më parë. Psikoterapia, në disa sëmundje është më shumë efikase se ilaçet, por ndonjëherë janë të domosdoshme edhe medikamentet, sikurse dhe terapitë e tjera ndihmëse. Psikoterapeutistët tregojnë si mund ta çlirojmë mendjen nga fiksimet, depresioni, frikat dhe ankthi.
Psikoterapia
Psikoterapia apo “kura e shpirtit” tregon një ndryshim, duke përdorur fjalët dhe dëgjimin, mendimin dhe marrëdhënien. Ekzistojnë më shumë se 300 të tilla. Por a ekzistojnë provat shkencore se ato funksionojnë? Cila metodë është më efikasja në luftën kundër depresionit dhe cila për të luftuar ankthin? Rilindja e psikoterapisë në mënyrë paradoksale nisi kur Hans Jurgen Eysenck (1916-1997), docent i Psikologjisë në Institutin e Psikiatrisë në Universitetin e Londrës, e kritikoi me një serë artikujsh që provonin joefikasitetin e saj në krahasim me ndërhyrjet e tjera. Eysenck, në fakt tregonte se, për të vlerësuar një terapi duhej llogaritur sa pacientë përmirësohen apo shërohen në 100 të kuruar, në një interval të caktuar kohor dhe pastaj t‘i krahasosh me evolucionin natyror të sëmundjes në një grup analog pacientësh. Duke analizuar 19 studime mbi 7 mijë pacientë, ai kishte treguar se psikanaliza arrinte të përmirësonte rreth 44 për qind të pacientëve, kundrejt 64 për qind të pacientëve që përmirësoheshin duke biseduar me një person të gatshëm për ta dëgjuar në mënyrë empatike dhe 72 për qind të pacientëve të trajtuar nga mjekë specialistë. Me pak fjalë, psikoterapia rezultonte metoda më pak efikase. Sot, studimet kanë treguar se psikoterapia funksion shumë herë më mirë.
Rezultatet
Pothuajse gjysmë shekulli distancë, psikoterapistët e terapisë konjektive të sjelljes (CBT) punojnë më shumë mbi modifikimin e sjelljeve vetëshkatërruese, duke e lënë analizën në sfond dhe kontrollojnë sistematikisht rezultatet e punës së tyre. Shërimi apo përmirësimi i pacientit janë dokumentuar jo vetëm nga përballja me pacientët e kuruar në një mënyrë tjetër, por edhe nga analizat biologjike, madje edhe nga diagnostikimi i imazheve: CBT në fakt modifikon plasticitetin cerebral. Jo vetëm kaq. Te pacientët në terapi me antidepresivë vihet re një reduktim 15-20 për qind i hormoneve të tiroides, si tiroksina, të konsideruar si tregues të depresionit. Të njëjtat rezultate, sipas një studimi të Russell Joffe, nga “Mcmaster University Medical Center” në Hamilton, Kanada, arrihen edhe te pacientët depresivë të shëruar me 20 javë psikoterapi. Pastaj janë provat e diagnostikimit të imazheve. Lewis Baxter dhe Jeffrey Schwartz, psikiatër në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, ndanë disa pacientë në obsesi-kompulsiv (që tentojnë të përsëritin në mënyrë të fiksuar disa sjellje) në dy grupe: i pari i trajtuar dy muaj me psikoterapi dhe i dyti me një antidepresiv të quajtur fluoxetina. Para dhe pas terapisë të gjithë iu nënshtruan PET (Positron Emission Tomography) të trurit. Rezultati: psikoterapia funksionon.
Emocionet
CBT ndërhyn te mendimet dhe emocionet. Emocionet dhe marrëdhëniet janë të lidhura me interpretimin e ngjarjeve të përditshme dhe mendimeve që “prodhohen” në ndërgjegje. Psikoterapia propozon modifikimin e interpretimit të ngjarjeve, rrjedhimisht edhe atë të sjelljeve, duke përdorur dialogun sokratik: domethënë ta stimulojë pacientin, t’i gjejë përgjigjet brenda vetes dhe me ushtrime që synojnë të forcojnë sjellje alternative të shëndetshme. Studime të shumta tregojnë se është efikase sa ilaçet në terapinë e depresionit të lehtë dhe të moderuar. Po ashtu, një nga avantazhet e saj është se njerëzit në depresion të trajtuar me CBT kanë një rrezik shumë herë më të vogël se sa ata me ilaçe për t’u sëmurë sërish. “CBT është rruga më e mirë edhe për kurimin e bulimisë dhe arrin rezultate pozitive në 70 për qind të rasteve. Në krizat e panikut ka sukses 87 për qind”,,- thotë Sandra Sassaroli, psikiatre dhe drejtoreshë e studimeve konjektive në shkollën e psikoterapisë në Milano. “Por funksionon edhe për sindromën e stresit pas traumës, fobitë në përgjithësi dhe fobinë sociale në veçanti. Sot, shtëpitë farmaceutike u këshillojnë edhe gënjeshtarëve ilaçe dhe antidepresivë”,-vijon psikiatria. Por, për të arritur rezultatet e duhura nevojitet kohë. Për të kuruar një depresion të rëndë apo shqetësimet me ankthin duhen muaj ose javë të tëra. Për më tepër problemet me personalitetin mund të kërkojnë vite. Terapia e krizave të panikut kërkon të paktën 12 seanca, ku një prej tyre kushton nga 50 deri në 150 euro dhe po kaq duhen për të kuruar simptomat e bulimisë. Psikoterapia e sjelljes jep rezultate edhe në rastin e sëmundjeve të rënda. Në shqetësimet bipolare (ajo ku alternohen faza depresive dhe euforie) ndihmon në kontrollin e stresit dhe të njohësh shenjat e kalimit nga një fazë në tjetrën, për të ndërhyrë në kohë me terapinë farmakologjike. Edhe në pacientët e tjerë redukton rrezikun e vetëvrasjes. Po terapitë e tjera psikoterapeutike apo psikanalitike? Për momentin mungojnë studimet shkencore që tregojnë efikasitetin. Por shumë shpejt metoda e përdorur për të provuar këto rezultate mund të aplikohet edhe aty.

Ilaçet nuk mjaftojnë

Sëmundjet mendore janë më të përhapura se sa mendohej. Ato prekin një në katër persona. Pjesa më e madhe e evropianëve janë të bindur se nuk kanë të bëjnë fare me këtë sëmundje. Por studimet tregojnë se një në katër veta është i prekur dhe vuan. “Godet” burra dhe gra, por në mënyrë të ndryshme. Gratë kanë një probabilitet 1.5 herë më të madh për t’u sëmurë nga ankthi dhe depresioni. Burrat vuajnë më shumë nga toksikodipendenza (1 në 8) dhe nga personaliteti antisocial dhe janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të vetëvrasjes (75 për qind e atyre që vrasin veten janë meshkuj dhe kryesisht të rinj). Edhe rastet e rënda të sëmundjeve mendore janë më të shpeshta nga sa mendohej, 1 në 100 persona preket nga skizofrenia. Megjithatë të dhënat bazohen vetën në shifrat e atyre që kërkojnë ndihmë.

Rastet e fshehura

Pjesa më e madhe e të sëmurëve mendorë “fshihen” brenda në shtëpi: jetojnë keq, pa diagnozë, pa terapi. Kohët e fundit një studim ka treguar se simptomat patologjike, si halucinacionet apo mendimet delirante janë të pranishme dhe në atë pjesë të popullsisë të cilësuar të “shëndetshme”. Nga kërkimi doli se te 250 individë të shëndetshëm që iu nënshtruan një testi psikiatrik u zbuluan simptoma që besohej se i kishin vetëm njerëzit që vuanin nga sëmundjet mendore. Por ka edhe lajme të mira. Para së gjithash, edhe nga sëmundjet më të rënda mendore mund të shërohesh. Natasja Melezes, një psikiatre në Universitetin e Torontos, në Kanada, ka ndjekur për rreth një vit 150 pacientë të shtruar për episodin e parë të psikozës në katër qendra universitare kanadeze, deri në rinisjen e aktiviteteve sociale dhe punëtore. Rreth 70 për qind e tyre nisi shkollën dhe punën si më parë. 51 për qind u shëruan plotësisht, ndërsa 74 për qind nuk kishin më asnjë simptomë. Vetëm toksikodependentët kishin ende simptoma 6 muaj pas episodit të parë: sot, thonë psikiatrit, krizat e skizofrenisë janë në rritje pasi “zgjohen” nga konsumi i drogave si kokaina, marijuana dhe ekstazia.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›