E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Qeveria po rrezikon seriozisht ekonominë e vendit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi deklaratën më kritike në shumë vite kundër qeverisë dje, në një mbledhje maratonë që zgjati më shumë se dhjetë orë. Sipas deklaratës, qeveria tejkaloi objektivin e deficitit buxhetor, shkaktoi rritje marramendëse të importeve dhe deficitit të llogarisë korrente, rriti borxhin e brendshëm dhe, më e rëndësishmja, "kufizoi hapësirën për stimuj të tjerë fiskalë në të ardhmen". BSH vendosi të qëndrojë neutrale në politikën monetare në mbledhjen e djeshme, por i kërkoi qeverisë të shtrëngojë rripin këtë vit për të shmangur probleme të tjera. Kjo ishte deklarata më kritike që BSH-ja ka hartuar në shumë vite. Herën e fundit që Banka Qendrore kreu një sulm frontal kundër ekzekutivit, ishte në korrik të vitit 2001, kur qeveria e atëhershme u kritikua për shpenzimet e tepruara elektorale.

Kritikat

"Sektori fiskal e mbylli vitin 2008 me një deficit buxhetor në nivelin 5.7 për qind të PBB-së, duke shënuar një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2007", thotë BSH. Qeveria i pati premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar ta ulë deficitin në 5.2%, por e pati të pamundur përballë rritjes së kostos së rrugës Durrës-Kukës.

"Stimuli i lartë fiskal për vitin 2008 shkoi kryesisht për financimin e shpenzimeve kapitale, por ai ndikoi edhe në rritjen e importeve dhe të deficitit tregtar të vendit", vijon më tej deklarata e BSH-së. Deficiti fiskal i vitit 2008 u reflektua në rritjen e borxhit publik në nivelin 55.6 për qind të PBB-së, duke kufizuar hapësirën për stimuj të tjerë fiskalë në të ardhmen.

Deficiti i llogarisë korrente arriti rreth nivelit 14.9 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 11 për qind të shënuar në vitin 2007. Ky tregues rrezikon të sjellë zhvlerësim të monedhës kombëtare dhe vë në dyshim stabilitetin makroekonomik të vendit. Deficiti i llogarisë korrente vitin e kaluar ishte edhe më i lartë sesa deficiti i vitit 1997, kur vendi gjendej në anarki të plotë.

BSH-ja nuk lë pa përmendur se deficiti u shkaktua pjesërisht nga kriza financiare globale, por qeveria e përkeqësoi më tej situatën. Për pasojë, leku u dobësua me 6% kundrejt euros gjatë muajve të parë të këtij viti dhe ka tendencë për dobësim të mëtejshëm. Burime nga tregu valutor thonë se Banka e Shqipërisë po përpiqet çdo ditë të shmangë nënçmimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare, por fati i lekut varet edhe nga politikat e qeverisë për këtë vit.

"Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e deficitit buxhetor brenda niveleve të programuara gjatë gjithë harkut kohor të vitit 2009 do të përbënte një kontribut optimal të politikës fiskale në situatën aktuale. Ky kontribut do të materializohej në kontrollin e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik, si dhe do të krijonte më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë", thotë Banka Qendrore në deklaratën e djeshme. Kjo është hera e parë në shumë vite që BSH-ja kërkon hapur nga qeveria të mos i tejkalojë shpenzimet.

Rruga Durrës-Kukës

Pjesa dërrmuese e problemeve të vërejtura në ekonominë shqiptare gjatë dy viteve të fundit lidhen drejtpërsëdrejti me projektin për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Rruga i kushtoi ekonomisë 1.9% të PBB-së gjatë vitit 2007 dhe 2.9% gjatë vitit 2008. Këtë vit pritet të kushtojë 3.2% të PBB-së. FMN-ja vlerëson se 80% e këtyre parave shkojnë për importe. Për rrjedhojë rriten deficitet e vendit dhe pakësohet valuta në treg. Këto shpenzime u shoqëruan për fat të keq gjatë vitit të kaluar me rënie të remitancave nga emigrantët, për shkak të krizës botërore dhe u bënë barrë e rëndë për ekonominë kombëtare. Më pak se një e treta e kostos së deritanishme të rrugës është mbuluar me kredi të huaj. Pjesa tjetër është grumbulluar në tregun e brendshëm, gjë që ka sjellë pakësim të valutës së disponueshme në tregun e brendshëm. Problemi më i madh qëndron në faktin se shpenzimet për këtë projekt priten të jenë më të mëdha se kurrë këtë vit, ndërsa qeveria kërkon parà shtesë për të rritur paga e pensione para zgjedhjeve të verës. Këta faktorë, të kombinuar, rrezikojnë shumë nga ato që vendi ka arritur nën mbikëqyrjen e FMN-së në dhjetë vitet e fundit. Edhe BSH-ja është e shqetësuar seriozisht për stabilitetin makroekonomik.

"Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur për të marrë të gjitha masat e lejuara nga hapësira e saj ligjore dhe nga nevoja për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, për të mbështetur ekonominë me likuiditet dhe për të garantuar shëndetin e sistemit financiar", thuhet në deklaratën e djeshme.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, sistemi financiar shqiptar rrezikohet të tronditet thellë në rast se leku pëson zhvlerësim të shpejtë, për shkak se 75% e kredive janë në euro dhe sa më shumë të shtrenjtohet euro kundrejt lekut, aq më shumë njerëz bëhen të paaftë të shlyejnë kreditë e tyre. Shpenzimet e qeverisë kanë shkaktuar sakaq shtrenjtim të lekut në tregun e brendshëm dhe qeveria e ka pasur të vështirë të arkëtojë të gjithë nevojën që ka për borxh. Rritja e kërkesës së qeverisë për borxh nga njëra anë rrit koston e borxhit dhe, nga ana tjetër, heq nga tregu para që mund të përdoren më me eficensë në kreditimin e sektorit privat.

Nëse qeveria nuk i tejkalon shpenzimet këtë vit, sipas BSH-së kjo gjë do të materializohej në kontrollin e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik, si dhe do të krijonte më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë".

Para shtesë për tunelin

Operatori i Sistemit të Transmetimit do të detyrohet të investojë 4 milionë dollarë të marra borxh nga qeveria për ndërtimin e një nënstacioni të ri dhe një linje 110 kilovolt në drejtim të Kalimashit. Projekti synon të furnizojë me energji elektrike pajisjet e ajrimit të tunelit të Kalimashit. Furnizimi i rregullt me energji i impianteve të ajrimit në vepra të tilla është thelbësore për të mos shkaktuar aksidente të rënda.

I dizajnuar fillimisht si një projekt që kushton 418 milionë euro, rruga Rrëshen-Kalimash ka kushtuar deri tani shumë më tepër, ndërsa deri në fund mund të kushtojë deri në 800 milionë euro. Qeveria nuk ka pranuar të deklarojë se sa ka kushtuar rruga deri tani dhe se sa pritet të kushtojë deri në përfundim. Tunelet priten të hapen para zgjedhjeve të qershorit, por punimet në rrugë do të vijojnë deri në mes të vitit 2010.

Banka Qendrore dhe qeveria

Banka e Shqipërisë ka si detyrë primare ligjore të ruajë stabilitetin makroekonomik të vendit, gjë që gjatë viteve të fundit e ka arritur me sukses të plotë. Por, të paktën në dy raste ekzigjencat elektorale të qeverisë e kanë vënë në rrezik këtë gjë. Në vitin 2001, ish-guvernatori Shkëlqim Cani e kritikoi ashpër qeverinë e drejtuar në atë kohë nga Ilir Meta për shpenzimet e tepruara të parave në rritje pagash e pensionesh dhe investime në infrastrukturë, në përpjekje për të fituar zgjedhjet e vitit 2001. BSH-ja pati një politikë mirëkuptimi me qeverinë gjatë vitit 2005, por duket se ka mbërritur në prag të luftës me ekzekutivin e sotëm. Pas largimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë pritet të bëhet kontrolluesi më efektiv i delirancave elektorale të ekzekutivit, për sa kohë vendi nuk ka nënshkruar traktatin e Mastrihtit për anëtarësim në Eurozonë. Kjo gjë pritet të ndodhë jo më parë se viti 2020.

Kritikat e BSH

* Qeveria tejkaloi deficitin

* Qeveria rriti borxhin e brendshëm

* Qeveria shkaktoi rritjen e importeve

* Qeveria shkaktoi rritjen e interesave të lekut



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›