Gazi, kryefjala e Forumit të Krans Montanës
Gazi dhe mënyrat e transportimit të tij nga vendet eksportuese te konsumatorët, pritet të jenë temat më të nxehta të diskutimit në Forumin Ekonomik të Krans Montanës, që do të zhvillohet sot dhe nesër në Tiranë. Përfaqësues nga Irani, Katari e vende të tjera eksportuese të gazit pritet të ulen në një tavolinë me përfaqësues të Shqipërisë dhe Zvicrës. Disa kompani të rëndësishme zvicerane po punojnë për gjetjen e rrugëve më të përshtatshme dhe për krijimin e një korridori gazi, ndërsa qeveria zvicerane i mbështet politikisht këto biznese. Gazsjellësi Transadriatik, i cili synon të lidhë rrjetin ekzistues grek-turk të transportimit të gazit me Italinë, përmes territorit shqiptar, pritet të jetë në qendër të vëmendjes. Diskutimet për sigurinë energjetike në Ballkan pritet të zhvillohen gjatë seancës së paradites, të premten. Vendet konsumatore të energjisë në Evropën Perëndimore po kërkojnë me ngulm të blejnë naftën dhe gazin e Azisë Qendrore. Projektet e hedhura në diskutim deri më sot janë disa herë më të mëdha sesa nevojat për gazsjellës e naftësjellës dhe ekspertët thonë se pjesa më e madhe e këtyre projekteve do të mbeten në letër. Megjithatë, ata thonë gjithashtu se Ballkani është e vetmja rrugë ku tubacionet do të ndërtohen.
Gazsjellësit e propozuar përfshijnë situata komplekse gjeopolitike, për të cilat vendet e BE-së janë të përçara. Zyrtarisht, Brukseli mbështet gazsjellësin Nabuço, i cili duhet të lidhë Vjenën me Azinë Qendrore përmes Turqisë dhe Ballkanit. Por, të paktën tri vendet anëtare të BE-së kanë nënshkruar marrëveshje me Rusinë, që bien ndesh me politikën e BE-së. Nga ana tjetër, Evropa po has vështirësi në gjetjen e furnitorëve të gazit në Azinë Qendrore dhe disa shtete kanë tentacionin të arrijnë marrëveshje me Iranin për të blerë gazin e këtij vendi. Kjo gjë bie ndesh me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Iranit.
Forumi i Krans Montanës është një organizatë zvicerane, që organizon diskutime në rang ndërkombëtar mbi çështje të ndryshme të lidhura me ekonominë, sigurinë dhe stabilitetin. Zyrat e saj administrative janë në principatën e Monakos. Qeveria shqiptare e ka përdorur këtë organizatë si një mjet marketingu për investimet e huaja në Shqipëri.