E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ul taksat për bixhozin

Këshilli i Ministrave vendosi dje të ulë taksat për lojërat e fatit dhe kazinotë e të gjitha llojeve, ku përfshihet edhe ulja e taksës së licencës për katër kazino të projektuara për t‘u ndërtuar në bregdet me 3.3 herë.

Me një vendim të publikuar dje në faqen zyrtare të qeverisë në internet, taksat për ushtrimin e veprimtarisë zëvendësohen nga taksa që paguhen një herë, në taksa të përvitshme. Kategoritë e industrisë së bixhozit ndryshohen paksa në krahasim me ligjin e mëparshëm, por edhe taksat ulen shumë herë.

Kazinotë

Një vendim i qeverisë së mëparshme dhe që daton në vitin 2004, përcaktoi se në Shqipëri duhej të lëshoheshin pesë licenca për kazino. Nga këto, licenca e parë për kazinonë në Tiranë u dha në vitin 2005. Një debat publik shoqëroi dhënien e licencës dhe miratimin e një ligji për lojërat e fatit, ku qeveritarët e sotëm u shprehën kundër aktiviteteve të këtij lloji në parim dhe kërkuan rritjen e taksës së licencës së kazinosë në 10 milionë dollarë. Mazhoranca e asaj kohe e pranoi këtë kusht. Katër vite më vonë, ndërsa në Shqipëri është lëshuar ende vetëm një licencë kazinoje, qeveria e ndryshoi ligjin, duke kategorizuar më vete "kazinotë në zonat bregdetare" dhe veçmas kazinotë në Tiranë. Në fakt, të katër kazinotë e tjera janë projektuar të hapen përkatësisht në Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Velipojë. Taksa e licencës për këto kazino u vendos 300 milionë lekë, (rreth 3 milionë dollarë).

Bixhozi tjetër

Ligji i mëparshëm kërkonte 120 milionë lekë (1.2 milionë dollarë) taksë licence për organizimin e basteve sportive. Ndryshimi i propozuar dje nga qeveria e ul këtë taksë në 2 milionë lekë në vit (20 mijë euro).

Po kështu, për licencat për bastet në pista sportive (hipodromet), ulen nga 20 milionë lekë (rreth 2 milionë dollarë) për t‘u paguar vetëm një herë, në 2 milionë lekë që duhet të paguhen një herë në vit.

Vetëm licencat për lotari kombëtare do të kushtojnë më shtrenjtë, sipas vendimit të djeshëm. Për të marrë një të tillë duhet të paguhen 300 milionë lekë (3 milionë dollarë), ndërsa më parë kjo licencë kushtonte vetëm 1.2 milionë dollarë. Në ulje janë edhe taksat për licenca bingosh tradicionale, apo televizive. Një licencë e tillë kushtonte 10 milionë lekë dhe paguhej vetëm një herë. Tani do të kushtojë 2 milionë lekë në vit.

Industria e bixhozit në rritje

Gjithmonë është thënë se bixhozi dhe ekonomia kanë ecuri të kundërta. Kur ekonomia ecën keq, bixhozi rritet dhe anasjelltas. Të varfrit luajnë bixhoz më shumë se të pasurit dhe natyrisht dëmtohen prej bixhozit edhe më shumë. Kjo gjë duket se po ndodh edhe këto kohë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vitin e kaluar xhiroja e industrisë së bixhozit në Shqipëri shënoi "rritje dyshifrore". Shqiptarët shpenzuan më shumë se 100 milionë dollarë në bixhoz dhe lotari gjatë vitit të kaluar, me një rritje 70% në krahasim me vitin 2007. "Për shumë vite, të ardhurat nga bixhozi dhe lotaritë sportive kanë njohur vetëm rritje", tha Redian Kristo, i zyrës për kontrollin e bixhozit, cituar nga agjencia franceze e lajmeve AFP.

Industria e bixhozit shoqërohet pothuajse gjithmonë me kriminalitet. Në disa vende, metoda të gabuara taksimi të kësaj industrie e kanë bërë bixhozin fushën më të lehtë dhe me kosto më të ulët të pastrimit të parave. Rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, apo krimeve të tjera të lidhura me industrinë e bixhozit raportohen vazhdimisht në median shqiptare. Shqipëria njohu një bum të lojërave të fatit në vitet ‘98-‘99. Sot duket se industria po përjeton një bum të ri.

Rikthehen dyqanet pa taksa në kufi

Qeveria u hap rrugë dyqaneve të mbyllura si subjekte kampione të kontrabandës me mallra të forta

Në vitin 1999, dyqanet pa taksa në pikat e kalimit të kufirit (duty free shop) qenë bizneset më fitimprurëse të kohës. Fluksi i njerëzve që kalonin kufirin mund të blinin mallra të fortë si cigare, apo pije alkoolike pa paguar taksa. Qeveria e kohës pa se si një pjesë e konsiderueshme cigaresh që shkonin në këto dyqane të ndërtuara në tokën e askujt, gjenin rrugën për të kaluar në tregun e brendshëm, i cili u përmbyt nga cigare, apo pije alkoolike që shiteshin pa pullë fiskale. Për këtë arsye, në atë kohë u vendos që dyqanet pa taksa të mbylleshin në të gjitha pikat kufitare dhe licencat përkatëse për ushtrimin e aktivitetit të anuloheshin. Nga ky vendim u përjashtua vetëm Aeroporti i Rinasit, i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit dhe praktikisht e vetmja pikë kufitare ku kontrolli mund të shmangë transformimin e këtyre dyqaneve në rrugë kontrabande.

Dje, pa dhënë ndonjë shpjegim konkret, qeveria vendosi t‘i rihapë dyqanet pa taksa në pikat kufitare, si dhe sanksionoi një procedurë ligjore që do t‘i mundësojë ministrit të Financave të lëshojë licencat brenda një afati maksimal prej 55 ditësh. Duke qenë se bëhet fjalë për një vendim qeverie, ai mund të zbatohet menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, gjë që do të thotë se brenda qershorit të këtij viti, në të gjitha pikat kufitare mund të hapen dyqane pa taksa dhe afati i licencave do të jetë pesë vjet.

Dyqanet e Rinasit, në rishqyrtim

Vendimi i qeverisë ka sanksionuar se disa dyqane ekzistuese "duty free", të cilat operojnë aktualisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, do të hyjnë në procedurë rilicencimi.

"Subjektet, të cilat operojnë me autorizim/licencë për ushtrim të veprimtarisë ‘duty free‘, brenda një periudhe tremujore duhet të përshtaten me kriteret e reja dhe të pajisen me autorizimin përkatës. Mospajisja me autorizimin përkatës, sipas dispozitave të këtij vendimi, i humbet të drejtën e ushtrimit të aktivitetit, si ‘duty free‘", thotë vendimi i djeshëm.

Afatet

Subjektet e interesuara do të dorëzojnë kërkesën për dyqan pa taksa në pikën doganore përkatëse, në zonën ku do ta hapin dyqanin. Dogana ia transferon dokumentet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave brenda 15 ditëve.

DPD-ja shqyrton dokumentet dhe ia transferon Ministrisë së Financave brenda 10 ditëve.

Ministria e Financave lëshon lejen përkatëse pas shqyrtimit, por jo më vonë se 30 ditë nga marrja e dokumenteve. Nga dorëzimi i kërkesës, deri në miratimin e licencës, nuk do të kalojnë më shumë se 55 ditë.

Kostot

Për të hapur një dyqan pa taksa, subjekti i interesuar duhet të marrë parasysh se do të detyrohet të paguajë një tarifë vjetore prej 20 mijë eurosh te doganat. Në rastin e marrjes së autorizimit për magazinë doganore "duty free" në bordin e anijeve dhe të avionëve, tarifa vjetore e autorizimit është dhjetë mijë euro. Duke qenë se licencat pritet të lëshohen tani shpejt, qeveria në vendim ka parashikuar edhe rastet kur puna do të fillojë në mes të vitit.

"Nëse subjekti e merr autorizimin gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, paguhet 100 për qind e taksës, nëse e merr autorizimin në gjashtëmujorin e dytë të vitit, paguhet 50 për qind e masës së tarifës vjetore", thotë vendimi i qeverisë.

Historia

Si lindën "duty free shop"

Dyqanet pa taksa të ndërtuara në zonë neutrale bazohen në parimin ligjor se mallrat për eksport nuk mund të taksohen, ndërsa përderisa shiten në pika kufitare nuk janë as mallra të importuara. Ato lindën për herë të parë në Irlandë në vitin 1950, ku një biznesmen me fantazi krijoi një magazinë për furnizimin me mallra të avionëve që ndalonin transit në Aeroportin Shannon. Kjo praktikë u përhap shpejt në të gjithë botën, e përkrahur përgjithësisht nga multinacionalet e duhanit, të cilat e panë shitjen e cigareve në kufi si një mënyrë të shkëlqyer për të shmangur taksimin e rëndë të këtij produkti. Në vitin 1999, një raport i Bashkimit Evropian tregonte se dyqanet pa taksa qenë përdorur për të transferuar në tregun e përbashkët miliarda euro cigare kontrabandë.

Problemi i kontrabandës u zgjidh në rastin e BE-së në të njëjtin vit kur hyri në fuqi bashkimi doganor. Ky hap eliminoi të gjitha dyqanet pa taksa në kufijtë mes vendeve të ndryshme evropiane. Tani dyqanet pa taksa ekzistojnë vetëm në aeroporte dhe kontrabanda është zgjidhur duke përdorur kartën e udhëtarit si mjet për të verifikuar nëse blerësi i mallit pa taksa ka qenë udhëtar apo jo. Një sistem i tillë pritet të fillojë të zbatohet me vendimin e djeshëm të qeverisë edhe në Shqipëri, por në rastin e pikave kufitare detare, apo tokësore ky sistem nuk duket i zbatueshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›