E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani, Qeverisë: Merrni borxh nga FMN

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria duhet të kërkojë hua nga FMN-ja, në mënyrë që të përballojë sa më lehtë efektet e krizës financiare. Guvernatori, kërkesën e tij, e ka bërë dje në Kuvend, duke e cilësuar si jetike ndryshimin e të gjitha politikave makroekonomike të vendit, për t’iu përshtatur krizës. Mungesa e likuiditetit, e kredisë dhe e të ardhurave nga emigrantët, do të sjellë zvogëlimin e të ardhurave në buxhet. Në këtë moment, Banka e Shqipërisë kërkon që deficitet buxhetore të mbushen me të ardhura nga institucionet e huaja ndërkombëtare. Por kjo nuk është e vetmja kërkesë e Fullanit. Banka e shikon si të domosdoshme edhe ndryshimet fiskale, duke propozuar aplikime fikse për bizneset dhe në këtë mënyrë parashikimin e ri të shpenzimeve. E thënë ndryshe, banka ka kërkuar ndryshimin e të gjithë kursit ekonomik të vendit.
Ndryshimet fiskale
“Duke vlerësuar kompleksitetin e sfidave me të cilat do të përballemi në vazhdim, ne gjykojmë si themelor rishikimin e të gjitha politikave aktuale makroekonomike dhe financiare, me qëllim përshtatjen e tyre me kushtet e reja. Në të ardhmen duhen krijuar mekanizma të qartë për koordinimin e politikave makroekonomike dhe programeve të zhvillimit të vendit. Banka e Shqipërisë gjykon se një hap në drejtimin e duhur do të ishte adoptimi i një rregulli fiskal sasior transparent, i cili do të shërbente si një kushtëzues i politikave fiskale në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë”.
Kërkesa për para
Sipas Fullanit, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe shtrëngimi i kushteve të financimit nga bankat. Guvernatori paralajmëron edhe bizneset dhe individët që duhet të rishikojnë planet e tyre në bazë të këtij parashikimi. Një gjë është e sigurt, ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009. “Në këto rrethana, ajo që kërkohet është një eficiencë më e madhe e përdorimit të fondeve të sistemit bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike. Për më tepër, Banka e Shqipërisë gjykon se sjellja e deficitit të llogarisë korente duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Barazimi i këtij deficiti me hyrjet e reduktuara të llogarisë kapitale, duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike. Ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit. Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet”.
Premtimi
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare do të përballet me një reduktim të prurjeve valutore gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik, si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. Ato janë shoqëruar me lindjen e presioneve nënçmuese ndaj kursit të këmbimit. E thënë ndryshe, mungesa e valutës do t’i shtrenjtojë ato në treg. Por pavarësisht këtyre, Fullani garantoi dje se banka do të ndihmojë të gjithë aktorët e ekonomisë. “Në emër të institucionit që unë drejtoj do të doja të siguroja Kuvendin e Shqipërisë, sistemin bankar, të gjithë aktorët e tjerë të interesuar, se Banka e Shqipërisë do të plotësojë nevojat e sistemit bankar me likuiditet. Nga ana tjetër, ne do të këmbëngulim që sistemi bankar në politikat që aplikon në lidhje me tregun e parasë dhe portofolin e investimeve të jetë më i pavarur nga selitë qendrore. Banka e Shqipërisë do të intensifikojë komunikimin me selitë qendrore të bankave për të mbështetur financiarisht bijat e tyre që operojnë në Shqipëri”.

Prova, bankat janë të sigurta

Edhe në rastet e përkeqësimit të krizës, bankat në Shqipëri do të jenë sërish të sigurta. Ky ishte rezultati i provës ekstreme të bërë nga Banka e Shqipërisë në bankat e nivelit të dytë. Fullani tregoi para deputetëve rezultatin e këtij eksperimenti dhe garantoi stabilitetin e sistemit bankat në Shqipëri për çdo skenar të mundshëm. “Banka e Shqipërisë ka kryer testime të njëpasnjëshme për të gjetur reagimin e sistemit bankar, në qoftë se ai do të përballej me rrethana nga më ekstremet. Analizat e përftuara nga stress-test e shumta në rang sistemi, ashtu dhe në mënyrë individuale për çdo bankë më vete, tregojnë se sistemi në tërësi dhe asnjë nga bankat me rëndësi sistemike në veçanti, nuk janë të prekura në nivelin e likuiditetit dhe të kapitalizimit. Pavarësisht zgjerimit të spektrit të rreziqeve dhe një viti më të vështirë për zgjerimin e veprimtarisë bankare, sistemi financiar dhe sektori bankar do të mbeten të qëndrueshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›