Paloka: Komisioni “Rama”, firmosën 40 deputetë
Deputeti i PD-së, Edi Paloka, në një deklaratë për “Panorama” shprehet se, “e djathta ka mbledhur 40 firma të deputetëve për të ngritur komisionin hetimor ndaj lejeve të ndërtimit të dhëna muajt e fundit”. Paloka, si një nga iniciatorët për ngritjen e këtij komisioni theksoi se, “të martën mund të depozitohen zyrtarisht kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor”. Ndërsa “ka akuzuar kryebashkiakun Edi Rama se ka marrë miliona euro për lejet e ndërtimit të dhëna së fundmi, të paktën 2 milionë euro”. “Komisioni hetimor për të cilin paraqita iniciativën për seancën tjetër, duhet të hyjë me kërkesën që të veprohet në mënyrë të përshpejtuar. Edi Rama e ka kthyer bashkinë në një mekanizëm abuziv, e ka kthyer KRRT-në sipas interesave e klaneve dhe klientelizmit. Lejet e ndërtimit janë kthyer në një burim të mirëfilltë fitimi për kryebashkiakun, duke krijuar kartelin e ndërtimit të udhëhequr prej tij”, tha Paloka në seancën e Kuvendit. Ai shtoi se pritet që ish-drejtori i Urbanistikës do të marrë 14 leje të tjera. Kundër këtij qëndrimi reagoi nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi, duke bërë të ditur se, “do të ngrejë padi penale ndaj deputetëve që akuzojnë pa të drejtë në dhëniet e lejeve të ndërtimit”. “Kemi vendosur të hapim gjyq ndaj Cekës, Palokës dhe cilitdo që shpif për të mbajtur në pushtet një shtet të kalbur. Deklarata me 40 lejet e ndërtimit për Delijorgjin duhet të vërtetohet në gjykatë”, ka pohuar Shalsi.