Fullani: Reforma e pensioneve, tiu hapet rruga skemave private
Guvernatori kërkon miratimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i ka bërë apel politikës shqiptare që të gjejë konsensus dhe të miratojë brenda kësaj të enjteje në parlament ndryshimet e propozuara nga BSH në Kodin e Procedurës Civile. Ndërsa ishte thirrur në Komisionin e Ekonomisë për të prezantuar raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë (2012), Fullani tha se nevojitet nxitja e kreditimit për të vënë në lëizje ekonominë e vendit, dhe këtë synon në thelb edhe paketa e re e propozuar nga BSH, lehtësimin e ekzekutimit të kolateralit.
Paketa e BSH-së
“Bëhet fjalë për një grup propozimesh, të cilat si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana e ekspertëve ndërkombëtare vlerësohen të domosdoshëm, në drejtim të stabilitetit të sistemit bankar, në drejtim të garantim të depozitave të popullatës, si dhe në drejtim të gjallërimit për rilindjen e ekonomisë. I kam dërguar një letër kryetarëve të partive kryesore, njëkohësisht edhe kryetarëve të komisioneve përkatëse në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme të sistemit bankar dhe të ekonomisë shqiptare”, tha Guvernatori, ndërsa shtoi se ndërhyrja e dytë e propozuar është vënia nën kontroll e borxhit publik, i cili që pas vitit 2008 është në rritje të pandalshme.
Skema e pensioneve
Për herë të parë Banka Qendrore e ka vënë theksin edhe tek reforma e skemës së pensioneve. Guvernatori sqaroi arsyet se pse kjo masë është e domosdoshme. “Deficitet e krijuara prej tyre janë në rritje dhe ato mund të cenojnë shumë parametra fiskalë dhe financiarë të vendit në të ardhmen. Kjo reformë duhet ti hapë rrugë zhvillimit të segmenteve relativisht të prapambetura të sistemit financiar, atyre të fondeve private të pensioneve dhe të sigurimeve”, tha Fullani.
Borxhet ndaj kompanive
I pyetur për borxhet që qeveria iu ka bizneseve të ndryshme Fullani tha se kanë nisur të shlyhen borxhet ndaj kompanive, por deputeti i PS-së Arben Malaj deklaroi se qeveria nuk po i paguan detyrimet, por po i trashëgon ato. “Sa i përket sistemit bankar mospagesat që qeveria nuk i ka bërë biznesit për punimet e kryera për investimet publike, detyra e parë e qeverisë aktuale është të shlyejë borxhet ndaj biznesit,” tha Malaj.
Raporti
Guvernatori Fullani raportoi se në 2012, inflacioni është mbajtur nën kontroll, në nivelin 2 %. Ai tha se viti i kaluar ka qenë i vështirë për ekonominë, eksportet ranë për shkak të krizës te fqinjët, ndërsa rënia e kërkesës në vend ka ardhur për shkak të pasigurisë. Paralelisht me prezantimin e raportit vjetor që u paraqit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, ekspertët e Bankës kërkojnë një sërë masash të tjera për të rritur rezistencën e ekonomisë ndaj krizës së Eurozonës.
22.5%
Rezultoi raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë në fund të vitit 2012, nga 18.8% që qëndronte në fund të një viti më parë (2011).
31%
U rritën fondet rezervë nga sistemi bankar për përballimin e humbjeve të mundshme nga rreziku i kredisë
1.6 %
Ishte rritja ekonomike për vitin 2012, në fillim të vitit 2012 Qeveria dhe ministri Bode parashikuan shifra të ndryshme 4.2% dhe me vonë e ulën në 3 %. Kjo tregon mospërputhje të shifrave mes institucionesh.
16.2%
Ishte treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar në fund të vitit 2012 duke shënuar rritje kundrejt një vitit më parë. Si në nivel sistemi, ashtu edhe për të gjitha bankat individuale, ky tregues mbetet mbi normën minimale të kërkuar prej 12%.