E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministritë dhe bashkitë, në garë për projekte

30/04/2009  Hungaria ofron kredi

Ministritë dhe institucionet e pushtetit vendor do të jenë në garë për të fituar financim të projekteve. Qeveria hungareze ka nënshkruar dje një marrëveshje me Ministrinë e Financave për të mbështetur me kredi realizimin e disa projekteve. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka theksuar se gjithçka do të kalojë në konkurrim. “Gjithçka do të kalojë në një proces konkurrimi, nga i cili do të përfitojnë ato institucione që do të përgatisin më shpejt projektet më të mira”, - tha Shehu, i cili garantoi eliminim të burokracisë nga ana e Ministrisë së Financave dhe qeverisë hungareze në procesin e përzgjedhjes së projekteve. Ambasadori hungarez në Tiranë, Sandor Molnari, theksoi se marrëveshja është një pikë kthese në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve dhe synon rritjen e prezencës së biznesit hungarez në Shqipëri. “Vetëm në vitin 2008 janë rritur me 50 për qind investimet hungareze në Shqipëri, ndërsa janë shumëfishuar investimet shqiptare në Hungari”, - tha Molnari, i cili shprehu besimin se me nënshkrimin e marrëveshjes do të ketë biznese të mëdha hungareze që do të vijnë në Shqipëri. Projektet, të cilat do të jenë objekt i zbatimit të kësaj marrëveshjeje, do të përzgjidhen nga Qeveria shqiptare dhe do të realizohen nga eksportues hungarezë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›