E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë, në ankand 14 miliardë lekë

30/04/2009  Më 5 maj

Ankandi i radhës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet më 5 maj dhe kërkesa e autoritetit qendror financiar do të jetë për 14 miliardë lekë. Kjo shumë është e barasvlershme me 107 milionë euro ose 140.6 milionë dollarë amerikanë. Burime zyrtare të këtij institucioni bëjnë të ditur se në ofertë janë 5.5 miliardë lekë për bono thesari me afat një vjeçar dhe 8.5 miliardë lekë për bono me depozita tre mujore. Në ankandin e fundit bonot me afat njëvjeçar u shitën me interes 9.13 për qind, nga 9.18 për qind që ishte maksimumi i caktuar. Për bonot e thesarit me afat 6-mujor interesi i siguruar ishte 7.68 për qind, nga 7.70 për qind që ishte ofruar në tender. Interesi për blerjen e bonove të thesarit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit nga individët, të cilët marrin pjesë në këto transaksione nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Në ndryshim nga një llogari bankare, lekët e bonove nuk mund të tërhiqen në mes të kontratës. Por, bonot mund t’i shiten një banke të nivelit të dytë, deri 7 ditë para se të përfundojë afati i maturimit të tyre. Banka Qendrore nxjerr çdo javë në ankand bonot thesari tremujore, që janë në lekë, si dhe bono thesari me afat 6 dhe 12-mujor, ankandi i të cilave zhvillohet çdo dy javë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›