Fullani: Rritja ekonomike në rrezik
Tiranë- Rritja ekonomike e Shqipërisë është e rrezikuar për shkak të një sërë faktorësh brenda dhe jashtë vendit.
Ka qënë ky mesazhi që ka përcjellë sot përmes deklaratave të tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani duke pranuar për të parën herë se rritja është në rrezik.
“Në një sërë sinjalesh që vijnë nga sektori real dhe ai financiar tregojnë se tkurrja e bilanceve të konsumatorit dhe njëkohësisht ngadalësimi i investimeve të përdorura deri tani nga agjentët ekonomikë privatë, si masa mbrojtëse ndaj krizës, mund të kthehen në një dem të prospektit afatmesëm të rritjes ekonomike”- tha Fullani.
Sipas zotit Fullani tendenca e kursimit dhe e shtyrjes së investimeve rrezikon të ndikojë avantazhet konkurruese të ekonomisë dhe potencialin rritës të saj. Kreu i Bankës së Shqipërisë tha se kredia po ashtu ka filluar të ndjejë rreziqe që sipas tij duhet nxitja që bankat të trajtojnë problemin përmes nismave më të vendosura për ekzekutimin e kolateraleve dhe kredive të humbura.
Vlerësimi ynë ka qenë dhe mbetet që vetëm në këtë mënyrë krijohen kushtet për njohjen dhe trajtimin më të shpejtë të problemit, duke shmangur shtrirjen e tij në kohë dhe duke zvogëluar pasigurinë në të ardhmen- u shpreh tha Fullani.
Deklaratat e guvernatorit Fullani u bënë gjatë një aktiviteti mes Bankës Shtetërore të Shqipërisë dhe Italisë fqinje.
/IDEA/