Fullani: Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike

Guvernatori i BSH pohoi se zhvillimet në sistemin financiar dëshmojnë për rivendosjen e plotë të besimit të publikut në sistemin bankar
Duke iu referuar ecurisë ekonomike të vitit 2010, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka konfirmuar një rritje ekonomike në vendin tonë më të lartë se viti i kaluar. Gjatë një takimi me drejtues të bankave në vend, kreu i Bankës Qendrore vlerësoi rolin që ka dhënë sistemi bankar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Ardian Fullani tha se: - "Ekonomia shqiptare do të shënoje rritje edhe gjatë vitit 2010, e cila parashikohet të jetë pak më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Zhvillimet në sistemin financiar dëshmojnë për rivendosjen e plotë të besimit të publikut në sistemin bankar”. Guvernatori pohoi edhe qëndrueshmërinë e monedhës vendase, po ashtu edhe të çmimeve të mallrave të konsumit. Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë - “Kursi i këmbimit të monedhës kombëtare ka qenë më i qëndrueshëm në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë që çmimet e konsumit janë luhatur rreth nivelit të synuar nga BSH”. Takimi i guvernatorit me bankierët u realizua me rastin e mbylljes së vitit 2010, ku sistemi bankar në vend siç u konfirmua edhe nga Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm performancën duke siguruar fitime afro 5 herë më të larta se viti i kaluar.