Fullani: Zhvlerësimi i lekut nuk përbën lajm
Paniku nga zhvlerësimi i lekut me rreth 10 për qind detyroi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, të dilte në publik për të qetësuar opinionin. Gjatë javës së shkuar, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, kreu i BSH-së tha qartë dhe hapur se, "zhvlerësimi i lekut në raport me euron nuk përbën lajm, nisur nga kushtet ku operon ekonomia shqiptare". Guvernatori ka sugjeruar publikun që të ketë më shumë besim te leku dhe kujdes në aplikimin për kredi në valutë. Edhe Ministria e Financave jep sinjale për qetësi. Sipas saj, problemi nuk është dobësimi i lekut, por forcimi i euros, e cila po "mund" edhe monedhat e tjera ndërkombëtare, dollarin dhe paundin.