E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vendimi i ERE-s, në favor të abonentëve"

Asgjë për t‘u trembur nga kërkesa e OSSH-së për të rritur çmimin e energjisë elektrike. Mesazhin e dha dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili garantoi një vendimmarrje të kujdesshme, në favor të konsumatorëve. Deklaratat e ministrit bëhen tri ditë pas aplikimit të OSSH në Entin Rregullator të Energjisë (ERE) për tarifat e reja të energjisë elektrike, të propozuara me rritje deri në 23 për qind. "Propozimi i tarifave të energjisë elektrike nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për Entin Rregullator të Energjisë është një detyrim ligjor, i cili nuk përcakton se do të jenë pikërisht këto tarifa ato që do të zbatohen vitin e ardhshëm për konsumatorin", vijoi ministri. Po dje, është prezantuar drejtori i ri i KESH-it, Muharrem Stojku, i cili zëvendëson Gjergj Bojaxhiun.

Procesi

Sikurse e parashikon ligji, qeveria nuk ka asnjë të drejtë të marrë përsipër vendimin për rritjen ose jo të tarifave të energjisë elektrike. Këtë detyrim ligjor e ka vetëm Enti Rregullator i Energjisë, institucion i cili varet nga Kuvendi i Shqipërisë. Për këtë shkak, Prifti sqaroi se i gjithë procesi për miratimin e tarifave të reja varet nga ERE. "Enti Rregullator i Energjisë ka për detyrë t‘i analizojë këto propozime dhe të marrë një vendim që në radhë të parë ka për detyrim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve të energjisë elektrike". Ky ishte një mesazh i qartë që ministri Prifti u dërgon anëtarëve të Komisionit në ERE, të cilët kanë nisur shqyrtimin e kërkesës së OSSH për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Më tej ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës shton se, ka besim të plotë që ERE do të veprojë me profesionalizëm dhe me maturi në marrjen e vendimit përfundimtar.

Rritja

Aktualisht, nga të dhënat zyrtare të ERE, OSSH furnizon me energji elektrike (u pret faturën) rreth 1 milion abonentë, ku pjesa dërrmuese janë familjarë. Rritja me rreth 23 për qind do të penalizonte shtresat e varfra, si dhe rëndon më tepër biznesin në aktivitetin prodhues. Ndryshimi i fundit i tarifave u miratua në mars të vitit 2008, me një ulje rreth 30 për qind për konsumatorin biznes, dhe rritje me 18 për qind për familjarët. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, u shpreh se ERE do të shqyrtojë brenda një periudhe 12-ditore kërkesën e paraqitur nëse ajo është konform rregullave dhe do t‘i kërkojë OSSH të paraqesë brenda 10 ditëve treguesit për energjinë elektrike, si dhe t‘i publikojë tarifat në tri prej gazetave më të njohura në vend. Me tarifat aktuale, çmimi mestar i energjisë elektrike është 8.4 lekë/kilovat, kurse me propozimin e ri, rritja shkon mbi 10 lekë për kilovat/orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›