Fullani akuzon bankat: Keqinformuan klientët për kreditë
Kredimarrësit shqiptar nuk kanë informacioni të plotë në momentin që nënshkruajnë për të marrë para borxh në banka. Ata nuk kanë informacion mbi llojin e kredisë që marrin madje as për totalin që duhet ti kthejnë bankës gjatë kohës në maturimin e kredisë.
Pasojat e mosinforminit ndikojnë drejtpërdrejt në xhepat e kredimarrësve dhe për rrjedhojë dhe në sistemin financiar të vendit. Alarmi është dhënë dje nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në një takim me temë Financat në Përgjithësi. Sipas Fullanit është e vërtetë që të gjitha palët e interesuara dështuan në vendimmarrje duke bërë zgjedhje të gabuara, jo racionale dhe jo eficiente. Por është gjithashtu fakt se pothuajse të gjithë kredimarrësit nuk kishin informacion të plotë mbi llojet e kredisë që po merrnin apo të instrumenteve financiare që po blinin, ose ishin të paaftë të kuptonin implikimet financiare të angazhimeve të tyre financiare dhe monetare.
Kreditë për shtëpi
Kreditë më të përhapura janë ato tregtare dhe për shtëpi. në borxhet për të blerë një shtëpi është konstatuar dhe mungesa më e madhe e transparencës nga ana e bankës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi dje se kredimarrësit u shtynë të besonin se çmimet e shtëpive vetëm rriteshin dhe rreziku financiar ishte zhdukur. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bankat që i nxitën njerëzit ti merrnin këto kredi. A iu shpjeguan ato klientëve se interesat vetëm shtyheshin në kohë por nuk faleshin, se çmimet luhaten e nuk janë të qëndrueshme. Bankat nuk informojnë klientët e tyre për inflacionin. Kur kjo ndodh atëherë dëmtohet e gjithë ekonomia e bashkë me të edhe sistemi financiar. Nga ky këndvështrim transparenca nuk është vetëm një detyrim ndaj të drejtës se klientit për të ditur të gjithë detajet e transaksionit, por është një detyrim ndaj shëndetit të të gjithë sistemit financiar.
Mungesa e transparencës
Mungesa e transparencës nuk përçon informacionin dhe rrjedhimisht nuk garanton kushtet që agjentët të jenë racionalë në vendimmarrje prandaj ka nevojë për transparencë dhe përgjegjshmëri. Sipas kreut të bankës për të rritur transparencën e bankave ndaj klientëve të tyre në Shqipëri, Banka Qendrore ka miratuar rregulloret "Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja" dhe "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare". Sipas Fullanit mungesa e transparencës nuk shfaqet vetëm në formën e fshehjes se qëllimshme të informacionit apo thjesht të neglizhencës, por edhe përmes zgjedhjes së mjeteve dhe formave të gabuara të komunikimit. Shpërndarja e informacionit me mënyrën më të shpejtë, më të mirë, më eficiente dhe më të kuptueshme është përgjegjësi e të gjithë aktorëve të tregut, si për institucionin ndaj klientit ashtu edhe për klientin ndaj institucionit. Në këtë këndvështrim më vjen keq që të konstatoj se reklamat e financës për zhvillim (mikrokredisë) mund ti hasësh vetëm në gurët e kilometrazhit apo grafitit amatoresk që llangos bordurat e rrugëve nacionale.
Informacioni
Bankat duhet të ndërtojnë një strategji të qartë komunikimi me publikun për produktet që ofrojnë, kushtet financiare me të cilat i ofrojnë këto produkte, dhe -veçanërisht e rëndësishme- për objektivat që ato kanë. Ndërsa transparenca duhet të përfshijë avantazhet konkurruese të tyre ndaj bankave universale në kushtet e financimit dhe në asistencën që ato janë të afta të ofrojnë në lidhje me miradministrimin e portofolit të kredisë. Financë e përgjegjshme do të thotë që edhe donatorët të zgjedhin partnerët më të mirë dhe më të aftë për të bërë këtë aktivitet, dhe të ushtrojnë presionin e tyre që institucionet në të cilat shpërndajnë fondet të garantojnë transparencën dhe informacionin e nevojshëm jo vetëm në memo e raporte, por në treg, atje ku është i dukshëm e transparent, për grupet e targetuara të interesit.
Procesi i transparencës së sistemit të kreditimit
Procesi i transmetimit të vendimmarrjes në publik është thelbësor për të garantuar ruajtjen e ekuilibrave makrofinanciare të një ekonomie. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i është përkushtuar edukimit ekonomiko-financiar të publikut, duke parë të arsyeshme ndërmarrjen e disa nismave konkrete për krijimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Por kjo është një detyrë të cilën banka qendrore nuk mund ta realizojë e vetme; garantimi i këtyre ekuilibrave kërkon bashkëpunimin e sistemit financiar, sektorit privat dhe publikut që së bashku të reagojnë kundrejt kësaj vendimmarrjeje në mënyre eficiente dhe racionale. Ngjarjet e dy viteve të fundit i kane shtyrë shume njerëz të diskutojnë vërtetësinë e teorive të tregjeve eficiente dhe aftësisë së agjentëve ekonomikë për të qenë racionalë. Megjithëse është ende herët (ose duhet pritur) për të bërë një analizë të plotë të shkaqeve të krizës, nuk mund të lë pa sjellë në vëmendje disa elemente thelbësore që dëmtuan aftësinë e individëve e më pas të tregjeve për të qenë eficientë dhe racionalë. Kjo jo për të analizuar krizën por për të kuptuar se çfarë implikimesh mbart kjo për financat e përgjegjshme.
Ornela Manjani