E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani, apel Qeverisë për të ulur borxhin publik

Autori i Lajmit: Redaksia

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka organizuar dje paradite një seminar mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Në seminar ishin të pranishëm ndër të tjerë, shefi i Misionit të FMN-së në Shqipëri, Gervin Bell, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Bell tha se Shqipëria ka qenë një ndër të paktat vende që i ka rezistuar krizës ekonomike ndërkombëtare dhe sugjeroi ndërmarrjen e politikave eficente në përmirësimin e deficitit publik. Edhe guvernatori Ardian Fullani i bëri apel qeverisë se borxhi publik nuk duhet rritur. Sipas Fullanit, duhet strategji për uljen e tij, pasi ulja do të ndikonte në ekonominë vendase dhe i bën thirrje qeverisë për kufizim të shpenzimeve sipas të ardhurave. “Përgjithësisht, politikat e ndërmarra nga autoritetet, sipas kushteve specifike të çdo ekonomie, rezultuan të suksesshme. Natyra e politikave stimuluese sot dhe në të ardhmen, duhet të synojë minimizimin e kostove të efekteve anësore që kanë shkaktuar politikat ekspansioniste të viteve. Një vend shumë të rëndësishëm në këtë drejtim zë edhe ulja e borxhit që u krijua gjatë ekspansionit fiskal dhe e kostos së tij. Në këtë kuadër, të gjitha autoritetet fiskale duhet të punojnë jo vetëm për të mos krijuar borxh të ri, por edhe për të shlyer borxhin e vjetër me eficencë maksimale”,- u shpreh Fullani.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›