E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani, apel qeverisë: Të rishikohet buxheti, kujdes me borxhin dhe me deficitin

Borxhet për investime publike afatgjata rrezikojnë ekonominë

Rishikimi i buxhetit është një domosdoshmëri për qeverinë shqiptare. Investimet duhet të mbështeten mbi të ardhurat e realizuara dhe jo mbi borxhe. Ndërkohë që deficiti buxhetor përbën një tjetër problem për financat publike.

Konkluzionet kanë dalë dje nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i cili me anë guvernatorit Fullani i bën thirrje qeverisë të tregohet e kujdesshme me borxhin publik. Nga ana tjetër qeveria ka miratuar dje rritje e pensioneve nga 4 deri në 10 për qind, mbulimi i të cilave do të bëhet nga borxhet. Ndërkohë ecuria e shpenzimeve konsumatore gjatë gjysmës së parë të vitit ka vijuar të ndikohet nga burime të kufizuara të financimit dhe nivele të ulëta të besimit të konsumatorëve.  Sipas Bankës së Shqipërisë tregues e uljes së konsumit vijnë si rrjedhojë e rritjes së ulët e shitjeve me pakicë, rënies së remitancave dhe e kredisë për konsum si dhe, ngadalësimi i treguesve të punësimit. Kosto faktorë dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të konsumi privat gjatë muajve të parë të vitit.


Guvernatori
Guvernatori Ardian Fullani ka deklaruar në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës se aktiviteti ekonomik i vendit paraqitet i ngadalësuar dhe familjet kanë tkurrur konsumin për shkak të vështirësive financiare. Të dhënat e disponueshme gjatë muajit të fundit tregojnë për një zhvillim të ngadaltë të ekonomisë gjatë 4 muajve të parë të vitit 2010. Ecuria e shpenzimeve konsumatore gjatë gjysmës së parë të vitit ka vijuar të ndikohet nga burime të kufizuara të financimit dhe nivele të ulta të besimit të konsumatorëve. Tregues të tërthortë si, rritja e ulët e shitjeve me pakicë, rënia e remitancave dhe e kredisë për konsum si dhe ngadalësimi i treguesve të punësimit dëshmojnë ecuri të ngadaltë të konsumit privat gjatë muajve të parë të këtij viti u shpreh Fullani. Në këto kushte Banka e Shqipërisë i bën apel qeverisë të tregojë kujdes me deficitin buxhetor dhe borxhin dhe ti ketë parasysh këta tregues në rishikimin që do ti bëjë buxhetit.


Ecuria
Duke ndjekur me vëmendje ecurinë ekonomike në vend Banka Shqiptare thekson se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për kontrollin e nivelit të deficitit. Kështu është shprehur guvernatori i BSH-së Ardian Fullani në një konferencë për shtyp në lidhje me ecurinë ekonomike. Sipas tij duhet të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2010 duke shtuar se rishikimi duhet të bëhet në bazë të një plani realist të të ardhurave duke marrë masa reale dhe kontroll të nivelit të buxhetit. Ai shtoi më tej se inflacioni gjatë muajve të parë të vitit ka shënuar rënie dhe është përmirësuar likuiditeti financiar. Gjithashtu Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mos ndryshojë normën bazë të interesit në 5.25 për qind. Në mbledhjen e tij të datës 30 qershor 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare.

BSH: Kontributi i biznesit negativ, papunësia në nivele alarmante
Kontributi i investimeve private në rritjen ekonomike vlerësohet të jetë negativ. Niveli i ulët historik i shfrytëzimit të kapaciteteve të lira në ekonomi, shkalla e ulët e treguesve të besimit të bizneseve, tkurrja e importit të mallrave të ndërmjetëm dhe kapitale dhe ngadalësimi i kredisë, sugjerojnë se niveli i investimeve ka qenë i ulët në këtë periudhë. Duke iu kthyer ekonomisë vendase, të dhënat e disponueshme gjatë muajit të fundit tregojnë për një zhvillim të ngadaltë të ekonomisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2010. Ecuria e dobët e komponentëve të kërkesës së brendshme është kompensuar nga një kontribut më i lartë i kërkesës së jashtme, si rrjedhojë e rritjes së konsiderueshme të eksporteve. Sipas Bankës së Shqipërisë rikuperimi i lehtë i kredisë për qëllime investimi dhe rritja e importit të mallrave të ndërmjetëm në muajt e parë të tremujorit të dytë të këtij viti, mund të sinjalizojnë një kthim të mundshëm të këtij komponenti të kërkesës agregate gjatë tremujorit të dytë të vitit. Megjithatë, papunësia mbetet në nivele të larta, duke reflektuar besimin e ulët të bizneseve në të ardhmen dhe investimet e pakta të tyre për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Presionet inflacioniste, megjithëse të ulëta, kanë vazhduar të shfaqin prirje rritëse gjatë vitit 2010, si rrjedhojë e gjallërimit të kërkesës në nivel botëror. Tregjet financiare kanë shfaqur luhatshmëri të shtuar, në përgjigje të shqetësimeve të aktorëve kryesorë të tregut lidhur me problemet e borxhit publik të disa prej vendeve të Eurozonës. Nevoja për konsolidim buxhetor në pjesën më të madhe të këtyre vendeve si pasojë e përkeqësimit të treguesve fiskalë pritet të kushtëzojë në një masë të madhe zhvillimet ekonomike në të ardhmen. 

Deficiti buxhetor 11, 6 miliardë lekë në katër muaj
Sektori publik ka vijuar të ndjekë një politikë fiskale stimuluese gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2010. Deficiti buxhetor për këtë periudhë rezultoi 11.6 miliardë lekë, i kushtëzuar nga rritja vjetore me 4 për qind e të ardhurave buxhetore dhe tkurrja vjetore me 3 për qind e shpenzimeve publike. Duke ndjekur me vëmendje ecurinë aktuale dhe të pritshme ekonomike, si dhe duke vlerësuar me shqetësim implikimet e saj për treguesit fiskalë, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Mbajtja e deficitit buxhetor në parametra të shëndetshëm do të rritë besimin në qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik, duke zvogëluar kështu primet e rrezikut në tregjet financiare. Gjithashtu, ulja e presionit në tregjet e brendshme financiare do të ndihmojë në kontrollin e normave afatgjata të interesit, duke lehtësuar aksesin e sektorit privat në tregun e kredisë. Në këtë kontekst, rishikimi i planifikuar i Buxhetit të Vitit 2010 duhet të bazohet në një plan realist të të ardhurave buxhetore, duke parashikuar njëkohësisht masat e nevojshme korrektuese për pakësimin e shpenzimeve publike dhe kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor.

Remitancat bien me 6. 7 për qind
Zhvillimet në zërat e tjerë të bilancit të pagesave gjatë tremujorit të parë të vitit tregojnë për një reduktim të ndjeshëm të financimit të huaj. Remitancat vlerësohen të jenë tkurrur me 6.7 për qind gjatë kësaj periudhe, duke financuar vetëm 40.6 për qind të deficitit tregtar.  Megjithëse investimet e huaja direkte kanë patur një ecuri pozitive, duke regjistruar një rritje vjetore prej rreth 26 për qind, suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare ka arritur të financojë vetëm 41.2 për qind të deficitit korent. Ky suficit ishte rreth 63 për qind më i ulët në krahasim me një vit më parë. Qëndrueshmëria afatgjatë e pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë mbetet një dobësi, e cila meriton vëmendje të vazhdueshme në nivelin e hartimit dhe të zbatimit të politikave ekonomike.

Oferta monetare u rrit me 7. 5 për qind
Ecuria e ngadaltë e kërkesës së brendshme është reflektuar në kërkesë të ulët për mjete monetare. Oferta monetare shënoi një rritje vjetore nominale prej 7.5 për qind në muajin prill. Krijimi i parasë në ekonomi vijon të mbështetet kryesisht nga zgjerimi i mjeteve valutore neto të sistemit bankar. Ndërkohë, kredia për sektorin privat ka shënuar në muajin prill një rritje vjetore prej 7 për qind. Të dhënat e kredisë gjatë dy muajve të fundit paraqesin një dinamikë pozitive, duke shfaqur norma më të larta rritjeje mujore të kredisë dhe, në veçanti, një rritje më të shpejtë të kredisë për investime. Megjithatë, kredia vazhdon të rritet me norma të ulëta, në reflektim të një kërkese të moderuar për kredi nga agjentët ekonomikë dhe të kushteve krahasimisht të shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga sistemi bankar, si pasojë e kujdesit të shtuar të tij.

Sistemi bankar ka likuiditete
Përmirësimi i treguesve të likuiditetit në sistem, huamarrja e kontrolluar e sektorit publik në tregjet e brendshme financiare, ulja e primev

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›