E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen interesat për kreditë afatshkurtra, këstet mbi normën bazë të interesit

Banka Qendrore ka vendosur ndryshimin e procedurave për llogaritjen e interesit për kreditë afatshkurtra. Në përllogaritje do të përfshihet norma bazë e interesit e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe marzhi i fitimit të bankave tregtare. Vendimi është marrë

dje në mbledhjen e djeshme Këshilli Mbikëqyrës. Burime zyrtare nga banka bënë të ditur se u miratua ndryshimin e objektivit operacional të politikës monetare, i cili tashmë do të jetë orientimi i normave afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë. Ky ndryshim do të rrisë efektivitetin dhe transparencën e politikës monetare, si dhe do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të tregut ndërbankar. Banka e Shqipërisë ka marrë gjithë masat e nevojshme për zbatimin me sukses të këtij projekti. Gjatë diskutimeve të tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludoi se, në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni i çmimeve të konsumit në periudhën afatmesme do të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për të. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare janë të përshtatshme për respektimin e këtij objektivi. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Ky vendim, gjykohet i përshtatshëm për situatën në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare, duke siguruar në të njëjtën kohë kushtet e nevojshme monetare për mbështetjen e zhvillimit të shëndetshëm të saj. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë duke faktorizuar ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë në vend. Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të bëhen pjesë e kësaj filozofie duke dhënë kontributin e tyre në rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme. Duke pasur në vëmendje respektimin e objektivit për inflacionin, Banka e Shqipërisë ka vijuar të jetë e pranishme në treg duke ofruar likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë ekonomia botërore është karakterizuar nga rritja e aktivitetit ekonomik gjatë muajve të parë të vitit 2010, e nxitur nga gjallërimi i kërkesës së vendeve në zhvillim, politikat stimuluese të ndjekura nga vendet e zhvilluara dhe rritja e tregtisë ndërkombëtare. Projeksionet për të ardhmen sugjerojnë vazhdimësinë e rikuperimit në pjesën më të madhe të ekonomive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›