E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata, tre HEC-e 340 MW në Devoll për 1 miliard euro

Kompania austriake EVN AG dhe norvegjezja "Statkraft AS" shpallën dje bashkëpunimin në lidhje me koncesionin për lumin Devoll në Shqipëri. Marrëveshja u firmos nga ministri i Energjetikës, Ruli, në prani të Kryeministrit Berisha. Të dy kompanitë do të operojnë në mënyrë të barabartë, me nga 50% ndërsa investimi në total për tre hidrocentrale parashikohet të jetë rreth 950 milionë euro. HEC-et do të kenë një kapacitet instalimi preh 340 MW dhe nivel prodhimi prej 1 mijë GWh, ndërsa i gjithë investimi do të realizohet në një periudhë kohore prej 8 vitesh. Sipas përfaqësuesit të kompanisë norvegjeze, Ragnvald Naero, investimi për ndërtimin e 3 HEC-ve do të sjellë rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 20 për qind. Hartimi i projektit për HEC-et mbi Devoll ka nisur dy vjet më parë, ndërsa kompania fituese u shpall EVN-ja në fillim të 2008-ës. Të dy kompanitë fituese të kontratës konsiderohen lider në Evropë, ku EVN-ja mendohet se ka 3 milionë konsumatorë në 18 vende të botës. Kurse "Statkrafti" ka pasur 2.2 miliardë euro të ardhura bruto, me 3 mijë të punësuar në më shumë se 20 vende të kontinentit. Pas firmosjes së kontratës, ministri Ruli ka veçuar disa elementë të saj, duke i cilësuar si mjaft të rëndësishëm për garantimin e vendit me energji elektrike. Projekti parashikon ndërtimin e tre HEC-ve në zonat Lozhan-Grabove me fuqi 173 MW, Skenderbegas-Driza me fuqi 138 MW dhe Banje me fuqi 28 MW. "Nuk është rastësi, që një kompani si EVN, e cila zotëron kapacitete gjeneruese të energjisë elektrike në afro 2 mijë MW dhe ofron shërbime për 3 milionë klientë, garon në tenderin e shpallur nga METE për shfrytëzimin hidroenergjetik të kaskadës së Devollit. Kjo vlen edhe për kompaninë norvegjeze", tha Ruli dje për mediat. Deri në fund të vitit 2008, METE numëron 50 kontrata koncesionare të firmosura nga qeveria, me një investim total prej mbi 200 milionë euro, me një fuqi të instaluar prej 216 MW dhe një energji prej 700 Gwh/vit. Pritet që në fillim të 2009-ës Ministria e Energjetikës të do të inaugurojë fillimin e prodhimit të energjisë elektrike në të paktën 3 hidrocentrale të reja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›