Fullani mbledh bizneset
Situata aktuale ekonomike dhe raporti me bankat do të jenë në fokus të takimit që guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, parashikon të zhvillojë në fillim të javës me sipërmarrës kryesorë privatë. Lajmin e konfirmon kabineti i guvernatorit, duke shtuar se takimi do të jetë i hapur për mediat vetëm gjatë fjalës së Fullanit. "Në këtë takim do të diskutohen çështje që lidhen me situatën aktuale të ekonomisë shqiptare dhe vështirësitë potenciale që mund të ketë ekonomia jonë gjatë vitit 2010", thekson Banka e Shqipërisë. Guvernatori nisi një tur takimesh me grupet e interesit në fillim të vitit 2009, kur u pa që kriza po kapte përmasa serioze dhe u ndërpre pas qetësisë së krijuar me rritjen e depozitave në banka.