E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara mes ENEL dhe RWE për TEC-in me qymyr vendoset në janar 2010

Qeveria shqiptare e ka ndarë mendjen për ndërtimin e termocentralit me qymyr në zonën e Porto Romanos pranë Durrësit. Shkaku që vonon fillimin e ndërtimeve ka të bëjë me garën mes dy gjigantëve energjetikë: italianëve të ENEL dhe konsorciumit gjermano-grek RWE. Të dyja kompanitë kanë shprehur interes për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prodhues 800 megavat. Zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës thonë për "Shqip" se gara mes dy kompanive mund të përzgjidhet në muajin janar 2010, në mënyrë që t‘i hapet rrugë ndërtimit, me plan brenda vitit që vjen.

Kompanitë i kanë dorëzuar projektet duke aplikuar për ndërtimin e TEC-it, kurse specialistët e ministrisë janë duke vlerësuar ofertat. Plani i qeverisë për fillimin e negociatave konkrete me njërën nga kompanitë është për t‘u mbyllur në fillim të vitit. Mendohet që ndërtimi i termocentralit do të kërkojë katër vjet, me vlerë investimi mbi 1 miliard euro. Sasia e energjisë që do të prodhohet konsiderohet tepër e lartë, përtej nevojave të vendit tonë, për pasojë është menduar që gjysma të mbetet në Shqipëri dhe diferenca të eksportohet. Aktualisht nuk ka ende një përllogaritje të saktë sesa do të jetë çmimi i energjisë që t‘i shitet palës shqiptare, por ministria mendon se do të jetë me koston e prodhimit.

Në total projekti për ta kthyer Porto Romanon në park të madh energjetik kushton rreth 4 milionë euro. Brenda zonës parashikohet të ndërtohet një rigazifikator, dy termocentrale, depozita karburanti dhe port për anijet. Përveç kësaj parashikohet të krijohet dhe një zonë e lirë ekonomike për bizneset industriale. Të gjitha investimet do të kryhen nga privati, por më parë qeveria shqiptare duhet të shpenzojë ca para për t‘i kthyer zonës kushtet optimale për investim, si rrugë, drita dhe ujë.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›