Fullani “presion” bankave: Rrisni kredinë për ekonominë
Fabiola Çela
Bankat duhet të rrisin kreditimin, pasi në të kundërt ekonomia mund të hyjë në një rreth vicioz nga mungesa e kredisë. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë zhvillimeve të forumit të tretë të hapur me sistemin bankar.
Kreditimi
“Situata e përjetuar me likuiditetin, si edhe efektet e krizës ndërkombëtare mbi sektorin real të ekonomisë, kanë sjellë ulje të theksuar të ritmit të kreditimit dhe kanë ndikuar negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Për këtë arsye, rezultati financiar i sektorit, ndonëse më i ulët se ai në vitin 2008, vazhdon të jetë pozitiv”, ka deklaruar dje Guvernatori i BSH-së. Por në fjalën e tij, Guvernatori theksoi se bankat kanë tkurrur dhënien e kredive dhe kjo ka risqet e saj në ekonomi. “Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit në ekonomi, është reflektuar në ulje të kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, rritja e primeve të rrezikut ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit. Si rezultat, gatishmëria juaj për të kredituar ekonominë me fonde, ka rënë. Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur, që për shkak të lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat”, është shprehur ai. Në një situatë të tillë, ai u ka bërë thirrje bankave që të rrisin kreditimin. “Dhënia e impulseve të zhvillimit në mënyrë koncertale duhet të jetë një detyrë parësore e tij, ndërkohë që sinergjitë pozitive që do të krijohen, do të sjellin përfitime të dyanshme: si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për stabilitetin financiar”, është shprehur Fullani.
Rekomandimet
Gjatë forumit të djeshëm, Guvernatori theksoi se industria bankare duhet të realizojë një rishikim të strategjive të rritjes së veprimtarisë bankare, duke synuar harmonizimin më të mirë të tyre me burimet e nevojshme njerëzore, financiare e teknologjike. “Prioritare mbetet edhe njohja dhe administrimi në mënyrë efektive i rreziqeve të veprimtarisë. Në terma më praktikë, ky proces duhet të synojë vendosjen e mekanizmave të brendshëm, të cilët parandalojnë krijimin e ekseseve në drejtime të caktuara të veprimtarisë bankare, synojnë diversifikimin më të mirë të investimeve dhe mbështesin forma sa më të qëndrueshme të burimeve të financimit. Të gjitha këto kërkojnë forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, stimulimin e strukturave që vlerësojnë dhe administrojnë rreziqet e veprimtarisë dhe në përgjithësi, rritjen e profesionalizmit në personelin e bankave, si edhe vendosjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me depozituesit dhe përfituesit e tjerë të shërbimeve bankare nëpërmjet rritjes së transparencës”, tha ai.
Rekomandimet
• Vendosja e parametrave që sigurojnë një ekuilibër më të mirë midis ecurisë së mjeteve me rrezik të sektorit bankar dhe burimeve të financimit, përsa i takon llojit të monedhës, afatit të maturimit, normës së interesit;
• Përcaktimi i vëllimeve dhe karakteristikave të caktuara të mjeteve të veprimtarisë së bankave, që mundësojnë ruajtjen e niveleve të kënaqshme të likuiditetit;
• Identifikimi i mekanizmave të caktuar që do të zbusnin ciklikalitetin në veprimtarinë bankare, veçanërisht në kushtet e rritjes së shpejtë të veprimtarisë bankare, ose në rastet e tkurrjes së ndjeshme të saj;
• Forcimi i kërkesave për administrimin e situatave të jashtëzakonshme dhe vazhdimësinë e biznesit;
• Përmirësimi i strukturave të drejtimit, të llogaridhënies dhe të vlerësimit të performancës, si dhe rritja e efektivitetit të shpenzimeve që shkojnë për trajnimin, stimulimin financiar dhe fuqizimin e burimeve njerëzore;
• Forcimi i mëtejshëm i kërkesave për transparencë ndaj klientit, si edhe fuqizimi i kuadrit rregullativ për mbrojtjen e tij nga praktikat e mundshme abuzive të sistemit financiar.