E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i ri në QSU, gati brenda muajit mars

 

Godina e re spitalore në QSU do të nisë të presë pacientët e parë në muajin mars. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ndoqi dje nga afër ecurinë e punimeve të këtij investimi madhor në shëndetësi. Projekti për spitalin e ri është financuar nga Banka për zhvillim e Këshillit të Evropës dhe kap vlerën e 14 milionë USD dhe Qeveria shqiptare 7.4 milionë dollarë vetëm për ndërtim, ndërsa për pajisjet mjekësore do të financohet nga Qeveria Shqiptare në masën e 8 milion euro). “Shpresojmë që në fillim të vitit të ardhshëm, jo më larg se muaji mars ky spital i ri të fillojë funksionimin e tij”, tha ministri Vasili. Ndërtesa e re do të  ofrojë shërbime të imazherisë dhe diagnostikimit, shërbime të urgjencës (urgjenca 1, urgjenca 2 përfshi dhe 18 shtretër observimi), 30 shtretër për mjekësinë e përgjithshme dhe 30 shtretër për kirurgjinë e përgjithshme, 15 shtretër reanimacion dhe Laboratorë Klinike, departament të Hematologjisë dhe 16 shtretër standard. Gjithashtu do të jenë 6 shtretër të specializuar dhe 14 shtretër për pacientët ambulatore, 7 salla reanimacioni, 8 shtretër post operator dhe laborator Histologjie. Numri i përgjithshëm i shtretërve do të jenë 115. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, blerja e pajisjeve mjekësore do të kryhet me dy ose tre lotë, nga të cilat loti kryesor do të jetë ai ku do të përfshihen pajisjet e imazherisë, diagnostikës dhe laboratorëve, i cili do të duhet të zhvillohet gjatë vitit në vazhdim (2009), për të mos penguar ecurinë e ndërtimit. Me nisjen nga puna të këtij spitali pritet të lehtësohet disi fluksi në pavijonet e tjera. Që prej dy javësh në spitalin “Nënë Tereza” ka nisur të zbatohet edhe udhëzimi i ri i Ministrisë së Shëndetësisë për zbatimin e sistemit të referimit. Ndonëse pacientët nuk janë të mësuar ende me rikthimin e këtij rregulli, bluzat e bardha në QSU, nuk pranojnë më të kryejnë vizita pa rekomandimin e mjekëve të familjes. ”Po vëmë në zbatim urdhrin dhe kjo është në të mirë jo vetëm të spitalit por edhe të vetë pacientëve. Vetëm duke funksionuar sistemi i referimit do të kemi një shërbim shëndetësor më cilësor. Spitalet do të jenë më të lehtësuara nga dyndjet e pacientëve dhe puna do të kryhet më mirë”, thonë mjekët.                      z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›