Makinat e zyrtarëve, ligjet miratojnë draftin
Komisioni i Ligjeve miraton me debate projektligjin e qeverisë për uljen e shpenzimeve të transportit të zyrtarëve. Debatet në mes deputetëve të maxhorancës janë fokusuar më tepër në të drejtën që kanë funksionarët për të blerë makinën, si dhe në shtimin e numrit të zyrtarëve që përfitojnë bonusin për karburantet e makinave. Deputeti i PD-së, Dashnor Sulaj, ka qenë kundër një sanksionimi të tillë në të cilën i jep zyrtarëve të drejtën e parablerjes të makinave që kanë pasur në përdorim ato. “Jam kundër këtij sanksionimi, pasi ne po i heqim makinat zyrtarëve, por tani ne i bëjmë pronarë makinash, duke përfshirë edhe veten time. Çmimet që do të shiten do të jenë problematike. Kështu unë jam kundër këtij neni dhe vota ime do të jetë kundër”, tha Sulaj. Ndërsa komisioni ka ndryshuar nenin 8, ku e drejta e parablerjes i takon vetëm zyrtarit që e ka pasur makinën dhe asnjë funksionar tjetër nuk mund ta blejë. Sipas Rusmalit, deputeti i Kuvendit nuk mund të ketë të drejtën të blejë makinën e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe anasjelltas. Janë 374 makina të administratës së lartë shtetërore që do të shiten me të drejtën e parablerjes. Pra vetëm funksionarët posedues kanë të drejtën e parablerjes. Kundër këtij neni votuan dy deputetët Nasip Naço i LSI-së dhe Dashnor Sulaj i PD-së. Debati tjetër është realizuar në faktin kur është diskutuar mbi shkresën e paraqitur nga ana e kreut të KQZ-së, që edhe anëtarët e këtij institucioni të përfitojnë nga bonos i tillë, pasi gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Përfaqësuesja e Ministri së Financave, Prodani, ka dalë kundër këtij propozimi, duke u shprehur se kjo do të rriste efektin financiar. “Ne nuk mund të ecim me precedentë, pasi po të ecim në këtë mënyrë ka shumë të tillë dhe kjo do të sillte rritjen e faturës financiare”, tha Prodani. Por një gjë e tillë është kontestuar nga ana e kryekomisionerit të Ligjeve, Rusmali¸ duke votuar pro kërkesës së Rusmalit të KQZ-së. Deputeti i PD-së, Sulaj e ka cilësuar si diskriminues dhe asburde faktin që nuk u jepet makina gjyqtarëve të Krimeve të Rënda.