E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Bojkoti i PS s’pengon integrimin

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi tha dje se bojkoti i PS-së nuk do të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Slloveni, kreu i shtetit u takua me homologun e tij, Danilo Turk, ku u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve. I pyetur në konferencën për shtyp mbi bojkotin e PS-së në Parlament, Presidenti theksoi se pjesëmarrja e saj në institucione nuk ka të bëjë me vullnetin e tij, por me vullnetin e partive në këtë proces. Por sipas Topit, bojkoti i opozitës nuk do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë në BE. “Unë besoj që demokracia në Shqipëri funksionon. Natyrisht institucionet konsolidohen çdo ditë. Unë nuk besoj që të ketë faktorë që të jenë treguar kontestues në procesin e integrimit, por procesi i integrimit kërkon pjesëmarrje, kërkon bashkëpunim dhe besoj që roli i institucioneve të Shqipërisë dhe mënyra e sjelljes së institucioneve të Bashkimit Evropian do të jetë e tillë, që nuk do të krijohet asnjë lloj pengese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, theksoi Topi.
Vizita
Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti Danilo Turk vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke thënë se “Shqipëria është shteti më dinamik në Evropë përsa i përket zhvillimit të saj politik dhe rritjes mbresëlënëse ekonomike. Sllovenia e ka përkrahur Shqipërinë në procesin e saj integrues në strukturat euro-atlantike dhe jemi shumë të kënaqur që Shqipëria ka bërë përparime edhe në drejtim të integrimit të saj në gjirin e familjes evropiane”. Ndërsa Presidenti Topi theksoi se, “kemi biseduar me zotin President për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Unë jam i shoqëruar në këtë vizitë nga një grup i rëndësishëm i biznesit shqiptar në rikthim të vizitës që biznesi slloven ka bërë në Shqipëri, një vizitë të bërë me zotin President, dhe besoj që është krijuar një urë komunikimi mjaft e rëndësishme, që marrëdhënieve politike të këtij niveli t’u përgjigjen edhe marrëdhëniet ekonomike të një niveli edhe më të lartë”. Topi zhvilloi takime edhe me kryeministrin Borut Pahor dhe Presidentin e Asamblesë Kombëtare, Pavel Gantar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›