E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Është përkeqësuar portofoli i kredive, kreditë e këqija arrijnë në 9% Nga TemaRritja e shpejtë e kredive me probleme mbetet kërcënimi kryesor i sistemit bankar gjatë vitit të ardhshëm. Ngadalësimi i ekonomisë dhe për rrjedhojë rritja e kosto

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Fullani: Është përkeqësuar portofoli i kredive, kreditë e këqija arrijnë në 9% Nga TemaRritja e shpejtë e kredive me probleme mbetet kërcënimi kryesor i sistemit bankar gjatë vitit të ardhshëm. Ngadalësimi i ekonomisë dhe për rrjedhojë rritja e kostos së jetës dhe e kostos së pagimit të interesave të kredive është arsyeja bazë pse kreditë e këqija kanë pësuar këtë rritje të jashtëzakonshme me rreth dy herë, krahasuar me vjet në të njëjtën kohë. Ky ka qenë shqetësimi i guvernatorit Ardian Fullani gjatë një takimi me drejtuesit e bankave në vend. Sipas tij, përkeqësimi i cilësisë së kredive do të ndikojë në fitimet e bankave gjatë një periudhe afatmesme. “Po përballemi me një përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë, i cili rëndon në rezultatin tuaj financiar”, - u tha Fullani bankierëve. Sipas tij, Banka e Shqipërisë mbështet përpjekjet e bankave për të mbuluar me fonde rezervë kreditë me probleme. Në fjalën e tij guvernatori u ndal edhe në situatën aktuale të kreditimit dhe ndikimin që ajo ka dhënë në zhvillimin e ekonomisë. Fullani u shpreh se Banka e Shqipërisë kërkon që kreditimi të vijojë në monedhën vendase dhe u kërkoi bankierëve që të vijojnë kredidhënien për klientët e tyre dhe për ekonominë. Pak kohë më parë Banka Qendrore deklaroi se mungesa e kreditimit mund ta çojë ekonominë në një rreth vicioz, duke sjellë ngadalësim të saj dhe madje rënie në recesion.
Sistemi bankar në vend, sipas të dhënave zyrtare, vazhdon të jetë dinamik dhe ai sërish edhe këtë vit ka dalë me fitim, por barrën e këtij fitimi është duke e paguar konsumatori, i cili paguan norma të larta interesi të kredive. Siç dihet, bankat që të gjitha këtë vit kanë mbajtur norma mjaft të larta interesi dhe nuk kanë reaguar aspak nga ulja e normës prej Bankës së Shqipërisë dhe e gjithë kjo për të kompensuar humbjen që vjen nga kreditë e këqija. Në anën tjetër duhet thënë se sistemi bankar në vend vuan nga mungesa e konkurrencës, pavarësisht se numri i operatorëve është i madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›