Prifti: Do të kompensojmë OSSH për humbjet me pará nga buxhetiNga TemaMinistri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, do të ndërhyjë për të zgjidhur problemet mes kompanisë ĈEZ dhe Entit Rregullator të Energjisë lidhur me rritjen
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Prifti: Do të kompensojmë OSSH për humbjet me pará nga buxhetiNga TemaMinistri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, do të ndërhyjë për të zgjidhur problemet mes kompanisë ĈEZ dhe Entit Rregullator të Energjisë lidhur me rritjen në masën 13% të çmimit të energjisë. Ministri Prifti tha dje se nuk do të ketë rritje të mëtejshme të çmimit, por mund të gjenden mekanizma kompensimi për kompaninë, me qëllim mbulimin e një pjese të humbjeve. “Do të kërkoj një konsultim me Entin Rregullator për t’u informuar më në detaje për ankesën që do të shkojë nga OSSH atje, për të parë mundësinë se si ndonjë pjesë e ankesës së OSSH mund të rishikohet. Unë mendoj se ka mekanizma kompensimi dhe duhet të aktivizohen për të garantuar kompaninë. Ka disa mekanizma kompensimi dhe unë do të insistoj që të paktën për pjesën që ka në dorë qeveria ne duhet të bëjmë maksimalen për të kompensuar në një mënyrë të drejtë kompaninë”, - u shpreh ministri Prifti. Me këtë deklaratë ministri i Ekonomisë do të thotë se qeveria nga buxheti i shtetit do të kompensojë OSSH, pra e thënë ndryshe çmimi i rritjes së energjisë nuk është 13%, por aq sa ka kërkuar OSSH, vetëm se shqiptarët një pjesë do ta paguajnë drejtpërdrejt, dhe tjetrën me anë të buxhetit. Kompania çeke, ĈEZ, ka deklaruar se do të nisë procedurat ligjore për të prekur garancinë 60 milionë euro të dhënë nga Banka Botërore për procesin e privatizimit. Ndërkohë kreu i Energjitikës, Prifti, deklaron se është në interesin e të gjitha palëve që të gjendet një zgjidhje tjetër, me qëllim që privatizimi i OSSH të jetë i suksesshëm. “Ne dëshirojmë që privatizimi të jetë i suksesshëm dhe OSSH të mos kërkojë të prekë garancinë që është vënë nga qeveria. Sipas Entit Rregullator, ĈEZ nuk ka të drejtë ta prekë garancinë me vendimin që ata kanë marrë, por është një çështje, e cila duhet të interpretohet nga juristët”, - theksoi Prifti.
Nisin kufizimet e energjisë, konsumi ditor prej të ftohtit i kalon 24 milionë kw/h
Kufizimet e energjisë elektrike janë rikthyer në shkallë të gjerë në vend, kryesisht në zonat rurale. Veç rasteve të ndërprerjes së energjisë, kur ka probleme për shkak të avarive nga kushtet e këqija të motit, në disa zona të tjera ka ndërprerje, për shkak të pamundësisë që ka korporata dhe rrjeti i transmetimit së bashku me atë të shpërndarjes për të përballuar ngarkesën. Aktualisht në Shqipëri konsumi ditor i kalon të 24 milionë kw/h dhe është e qartë se kjo ngarkesë e madhe për shkak të motit nuk mund të përballohet nga korporata. Në zonat rurale kryesisht ndërprerjet e energjisë janë bërë të zakonshme dhe ato shkojnë në rreth dy orë mesatarisht. Edhe në periferitë e Tiranës ka ndërprerje të energjisë, të cilat që të gjitha justifikohen nga korporata me defektet e rrjetit, por në fakt kjo teknologji e vjetër nuk është fare e besueshme, në një kohë që importi i energjisë është në nivele fare të ulëta dhe prodhimi vendas nuk mund të hedhë në rrjet rreth 25-26 milionë kw/h që nevojiten për furnizim pa ndërprerje. Edhe vitet e kaluara korporata ka përdorur arsyetimin e kufizimit për shkak të defekteve apo për shkak të remonteve, sa herë që ajo ndërpriste energjinë, edhe për shkak të pamundësisë për të furnizuar konsumatorët. Zonat në veri të vendit kanë ndërprerje të jashtëzakonshme, zonat rurale të Tiranës, Elbasanit, Librazhdit etj., njoftohet se kanë ndërprerje të energjisë. Duhet thënë se rezerva energjitike në kaskadën e lumit Drin, nga ku prodhohet mbi 90% e energjisë së vendit, është e mirë dhe madje ndër më të mirat në vite, por sistemi i transmetimit, i shpërndarjes, por edhe kërkesa e madhe për energji, e cila rritet nga viti në vit, e bëjnë gati të pamundur furnizimin pa ndërprerje.